2011-07-27 18:27:42

Kardinali Rouko Varela: nga DBR-së lindi një brezni e re katolikësh.


Të rinjtë katolikë nga mbarë bota po përgatiten për t’u takuar me Papën në Madrid, në Ditën Botërore të Rinisë. Para se të arrijnë në Spanjë, të rinjtë e Rrugës së Re Katekumenale, që do të nisen nga të pesë kontinentet, do të kumtojnë Ungjillin në qytete të ndryshme të Evropës, duke i ftuar bashkëmoshatarët të marrin pjesë në takim. Daniel Calabuig, i ri spanjoll 26 vjeçar, që ka marrë pjesë në disa prej DBR-së e do të shkojë edhe sivjet, na flet për domethënien e jashtëzakonshme, që patën këto takime në jetën e tij:

Përgjigje: - Ajo, që më ndihmon përherë në jetën time, është fjala e Papës. Ai thotë gjithnjë fjalë, që u japin guxim të rinjve. Mjafton të kujtojmë shprehjen “Ju jeni shpresa e Kishës”. Unë jam djali i madh i një familjeje me dhjetë djem, e sivjet, për herë të parë, do të marr pjesë në DBR-së, së bashku me shtatë nga vëllezërit e mi. Mos të harrojmë, prindërit tanë nuk e patën lehtë të na siguronin mundësinë për të marrë pjesë. Por ata janë besimtarë të vërtetë. Nuk shikojnë paratë, shikojnë përfitimin shpirtëror, që do të kemi nga kjo ngjarje e madhe botërore e rinisë, për të cilën nisëm të përgatitemi përmes takimeve të ndryshme, lutjeve mbrëmësore, dëgjimit të Fjalës së Zotit e adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament. Dioqeza e Valencies do të mikpresë tetë mijë të rinj, për të cilët kryeipeshkvi do të kremtojë një Meshë solemne. Familjet valenciane do t’ua hapin portat këtyre të rinjve, që do të vijnë nga India, Afrika e vende të tjera, për t’u nisur, pastaj, së bashku për në Madrid.

Pyetje: - Para se të arrini në Madrid, do të keni edhe një çast kumtimi të Ungjillit?

Përgjigje: - Ditët e para nuk do të shkojmë menjëherë në Madrid, por në Avila, për t’u kumtuar Ungjillin të rinjve nëpër rrugë e sheshe. Është dëshmi konkrete. Të gjithë do ta shikojnë se këtu, në Spanjë, nuk janë sosur të rinjtë katolikë, që dëshmojnë ç’bën Zoti, ç’bën Kisha për ne e për jetën tonë, gjë që mund ta bëjë edhe për ata, që janë ende larg, në se i hapin zemrat. Ne i jemi shumë mirënjohës Papës, që do të vijë të na takojë në Madrid!

Por cilat janë shpresat, që ushqen Kisha për këtë DBR-së. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, kardinali Antonio María Rouko Varela, kryeipeshkëv i Madridit:

Përgjigje: - Que la jornada sea de nuevo un momento…Uroj që Dita të jetë një çast i fortë kthese për të rinjtë e Krishtit. Qëllimi i këtyre Ditëve botërore është pikërisht gjallërimi i të rinjve, përforcimi i bazave të fesë së tyre, përmes takimit të vërtetë me Zotin. Janë ditë të pasura me përvojën e fesë e të bashkimit kishtar. Natyrisht të rinjve u duhet të përballojnë, posaçërisht në Perëndim, probleme të një shoqërie, që karakterizohet nga laicizmi shkatrrimtar e nga relativizmi moral e fetar, i cili ndikon jo pak mbi jetën e tyre e të të gjithë besimtarëve. Përballë kësaj situate, Ditët e Rinisë janë mjet tejet i rëndësishëm për apostullimin dhe ungjillëzimin e të rinjve e unë besoj se nga këto takime, themeluar nga Gjon Pali II 25 vjet më parë, ka lindur vërtet një brezni e re të rinjsh katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.