Kardinali Rouko Varela: nga DBR-së lindi një brezni e re katolikësh.
Të rinjtë katolikë nga mbarë bota po përgatiten për t’u takuar me Papën në Madrid,
në Ditën Botërore të Rinisë. Para se të arrijnë në Spanjë, të rinjtë e Rrugës së Re
Katekumenale, që do të nisen nga të pesë kontinentet, do të kumtojnë Ungjillin në
qytete të ndryshme të Evropës, duke i ftuar bashkëmoshatarët të marrin pjesë në takim.
Daniel Calabuig, i ri spanjoll 26 vjeçar, që ka marrë pjesë në disa prej DBR-së
e do të shkojë edhe sivjet, na flet për domethënien e jashtëzakonshme, që patën këto
takime në jetën e tij:
Përgjigje: - Ajo, që më ndihmon përherë në jetën
time, është fjala e Papës. Ai thotë gjithnjë fjalë, që u japin guxim të rinjve. Mjafton
të kujtojmë shprehjen “Ju jeni shpresa e Kishës”. Unë jam djali i madh i një familjeje
me dhjetë djem, e sivjet, për herë të parë, do të marr pjesë në DBR-së, së bashku
me shtatë nga vëllezërit e mi. Mos të harrojmë, prindërit tanë nuk e patën lehtë të
na siguronin mundësinë për të marrë pjesë. Por ata janë besimtarë të vërtetë. Nuk
shikojnë paratë, shikojnë përfitimin shpirtëror, që do të kemi nga kjo ngjarje e madhe
botërore e rinisë, për të cilën nisëm të përgatitemi përmes takimeve të ndryshme,
lutjeve mbrëmësore, dëgjimit të Fjalës së Zotit e adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament.
Dioqeza e Valencies do të mikpresë tetë mijë të rinj, për të cilët kryeipeshkvi do
të kremtojë një Meshë solemne. Familjet valenciane do t’ia hapin portat këtyre të
rinjve, që do të vijnë nga India, Afrika e vende të tjera, për t’u nisur, pastaj,
së bashku për në Madrid.
Pyetje: - Para se të arrini në Madrid, do
të keni edhe një çast kumtimi të Ungjillit?
Përgjigje: - Ditët e para
nuk do të shkojmë menjëherë në Madrid, por në Avila, për t’u kumtuar Ungjillin të
rinjve nëpër rrugë e sheshe. Është dëshmi konkrete. Të gjithë do ta shikojnë se këtu,
në Spanjë, nuk janë sosur të rinjtë katolikë, që dëshmojë ç’bën Zoti, ç’bën Kisha
për ne e për jetën tonë, gjë që mund ta bëjë edhe për ata, që janë ende larg, në se
i hapin zemrat. Ne i jemi shumë mirënjohës Papës, që do të vijë të na takojë në Madrid!
Por
cilat janë shpresat, që ushqen Kisha për këtë DBR-së. Në mikrofonin e Radio Vatikanit,
kardinali Antonio María Rouko Varela, kryeipeshkëv i Madridit:
Përgjigje:
- Que la jornada sea de nuevo un momento…Uroj që Dita të jetë një çast i fortë
kthese për të rinjtë e Krishtit. Qëllimi i këtyre Ditëve botërore është pikërisht
gjallërimi i të rinjve, përforcimi i bazave të fesë së tyre, përmes takimit të vërtetë
me Zotin. Janë ditë të pasura me përvojën e fesë e të bashkimit kishtar. Natyrisht
të rinjve u duhet të përballojnë, posaçërisht në Perëndim, probleme të një shoqërie,
që karakterizohet nga laicizmi shkatrrimtar e nga relativizmi moral e fetar, i cili
ndikon jo pak mbi jetën e tyre e të të gjithë besimtarëve. Përballë kësaj situate,
Ditët e Rinisë janë mjet tejet i rëndësishëm për apostullimin dhe ungjillëzimin e
të rinjve e unë besoj se nga këto takime, themeluar nga Gjon Pali II 25 vjet më parë,
ka lindur vërtet një brezni e re të rinjsh katolikë.