2011-07-26 16:11:57

Zi buke në Bririn e Afrikës: po shuhet një brez i tërë somalezësh


Rëndohet nga ora në orë gjendja në Bririn e Afrikës, i cili po vuan nga thatësira më e madhe e dhjetëvjeçarëve të fundit. Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët vlerëson se në muajin korrik, mëse njëmijë vetë në ditë kanë mbërritur në kryeqytetin somalez, Mogadisho për të shpëtuar nga zia e bukës. Dje, në mbledhjen e jashtëzakonshme të emergjencës, drejtori i FAO-s, Zhak Diëf, kërkoi mobilizimin ndërkombëtar para 3,7 milion të uriturve në Somali, por edhe para gati 12 milion vetëve në rrezik në gjithë Bririn e Afrikës, ku përfshihen Kenia, Gjibuti, Etiopia dhe Uganda. Tetë muaj pas alarmit të OKB-së për këtë zonë janë mbledhur rreth 1 miliard dollarë për përballimin e situatës, por mungojnë po aq për të krijuar korridoret humanitare e për të menduar edhe për të ardhmen, përmes projeketeve të zhvillimit. Ka filluar gjithashtu edhe vaksinimi i refugjatëve të Dadaab-it nga mjekët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Të dëgjojmë zëdhënësen e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët në Itali, Laura Boldrini:
Shumë nga personat vuajnë nga mosushqimi, 50% e fëmijëve, që arrijnë nëpër kampe, vuajnë nga uria e kjo është tepër shqetësuese. Fatkeqësisht, po shtohen edhe vdekjet, pasi edhe nëse 48 orë pas mbërritjes u jepet sidomos fëmijëve ushqim në formë terapie, nuk ia dalin ta kalojnë krizën dhe vdesin. Këto numra të frikshëm meritojnë gjithë vëmendjen e botës, sepse vërtet po shohim një brez të tërë somalezësh, që shuhet. Duhet të ndërhyjmë para se të jetë vonë.
A është e vërtetë se kjo është kriza më e rëndë humanitare në zonë gjatë 60 vjetëve të fundit?
Është gjithnjë tepër antipatike të bëhet klasifikimi ndërmjet krizave më të dëshpëruara humanitare, sepse për ata që i jetojnë, e tyrja është më e keqja. Sigurisht, kjo e sotmja në Somali është kriza me e rëndë në të cilën ka kaluar vendi, s’ka pikë dyshimi. Kujtoj këtu se në Kenia e në Etiopi shkojnë çdo ditë 1500 vetë. Duhet t’i mbështesim këto vende, të cilat i zbatojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare duke i lënë kufijtë të hapur, por nuk duhen lënë vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.