2011-07-26 16:36:12

Vëzhguesi i Vatikanit pranë OKB-së Çullikat: të rinjtë janë të thirrur ta shndërrojnë shoqërinë dhe kulturën.


Të rinjtë kanë rol të rëndësishëm në shndërrimin e përmirësimin e shoqërisë. Kështu pohoi në Nju Jork, kryeipeshkvi Frensis Çullikat, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, duke folur në takimin me temë: “Mbrojtja e të rinjve dhe promovimi i dinjitetit njerëzor”, organizuar nga Misioni i Vëzhgimit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së.
Kultura jonë – tha prelati – është një kulturë që kërkon shpërblim të menjëhershëm dhe zgjidhje të shpejta. Kultura e sotme, shtoi më tej, anon ta mënjanoi edhe Zotin. Kryeipeshkvi Frensis tregoi se sfida për brezat e ri është: “shndërrimi i kulturës duke ndjekur vlerat e Ungjillit dhe parimet që synojnë përtëritjen e shoqërisë”. Një angazhim që duhet të jetë mirë i kalibruar në fusha të ndryshme të betejës që ka si synim pikërisht përmirësimin dhe shndërrimin e shoqërisë bashkëkohore. Sekretari i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon – shtoi kryeipeshkvi Çullikat – vitin e kaluar me rastin e Vitit Ndërkombëtar të Rinisë pohoi se të rinjtë duhet të marrin përgjegjësinë për të qenë edhe ata pjesë aktive në procesin vendimtar në nivelin lokal, kombëtar si dhe atë global. Kjo përgjegjësi nuk mund ta lë anash respektin e njeriut. “Dinjiteti i qenies njerëzore – pohoi imzot Frensis Çullikat duke kujtuar mesazhin e Papës Gjon Palit II për Ditën e 32-të Botërore të Paqes më 1999 – është vlerë transhendentale, përherë e njohur si e tillë nga ata që në jetë e kërkojnë sinqerisht të vërtetën”. “E tërë historia e njerëzimit, në realitet, duhet të interpretohet në dritën e kësaj bindjeje të sigurt”.
Në nismën, organizuar nga Misioni i Vëzhgimit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë udhëhequr nga kryeipeshkvi Frensis Çullikat, marrin pjesë diplomatë dhe përfaqësues të organizatës për mbrojtjen dhe mbështetjen e të rinjve. Në takimin që përfundoi sot, foli edhe Leah Darrow, ish top model e cila para pjesëmarrësve tregoi përvojën personale, atë të zbulimit të virtytin të modestisë (thjeshtësisë) dhe të pastërtisë në një kulturë, siç është ajo perëndimore, thellësisht e kushtëzuar dhe e orientuar nga pamja e jashtme dhe nga kënaqësia.








All the contents on this site are copyrighted ©.