2011-07-26 15:49:34

Tërhiqen forcat speciale nga kufiri Serbi-Kosovë. Bashkimi Evropian kritikon Prishtinën


Janë tërhequr forcat speciale të Kosovës, vendosur dje në kufi për të respektuar embargon e Prishtinës kundër prodhimeve të Serbisë. Largimi i forcave speciale dhe kthimi i forcave të rendit në pikat e Bërnjakës dhe të Jarinkës u bë pas marrëveshjes ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe negociatorit për dialogun Beograd-Prishtinë, Stefanoviç, me ndërmjetësimin e KFOR-it.
Kujtojmë se marrja e postoblloqeve kufitare nga ana e forcave speciale ndeshi në reagimin e ashpër të popullsisë serbe, e cila bllokoi rrugët, duke shkaktuar plagosjen e katër policëve. Që nga viti 2008, në këto pika kufitare kalojnë normalisht kamionë me mallra nga Serbia, por jo edhe nga Kosova për në Serbi, duke mos respektuar kështu reciprocitetin ndërmjet dy vendeve, të cilat kanë vendosur embargo për prodhimet e njëra-tjetrës.
Bashkimi Evropian, në një deklaratë të zëdhënëses së Përfaqësues së Lartë për Politikën e Jashtme, Kathrinë Eshton, bëri të ditur se “nuk e miraton” dërgimin e forcave speciale në veri të Kosovës. Maja Koçijançiç kërkoi që problemet ndërmjet Beogradit e Prishtinës të zgjidhen në kuadrin e dialogut në vijim, ndërmjet dy vendeve. “Mendojmë – tha ajo – se veprimi i autoriteteve kosovare nuk ndihmon në këtë drejtim e gjithsesi, është bërë pa konsultuar Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.