2011-07-26 15:51:07

Në veri të Kosovës kufiri nën kontrollin e policisë


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi në një konferencë urgjente për mediat pohoi se pikat doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës janë nën kontrollin e Policisë së Kosovës. Qarkullimi i lirë i qytetarëve tashmë vazhdon normalisht, përveç për kamionët me mallra serbe, tha ai. Pikat kufitare 1 dhe 31 tashmë janë marrë dhe janë vënë nën kontroll nga forcat e rendit të Kosovës, thekson Ministri i Brendshëm Rexhepi, i cili thotë se po zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, me çka po bëhet bllokimi i hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.
Mbrëmë, Policia e Kosovës e kishte ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të këtyre pikave doganore dhe kishte marrë menjëherë nën vendkalimin kufitar 31, në Bërnjak. Ministri Rexhepi bëri të ditur se gjatë aksionit, një polic është plagosur nga një lëndë plasëse. Ai foli edhe për disa lëndime tjera më të vogla të policëve të shkaktuara nga hedhja e xhamave dhe gurëve prej anës së serbëve lokalë. Rexhepi tha duke marrë parasysh peshën e aksionit, dëmi është minimal.
Njësitë speciale të policisë u penguan që të merrnin nën kontroll vendkalimin kufitar 1 në Jarinje për shkak të bllokadës së serbëve lokal. Por, ministri Rexhepi, thotë se edhe kjo pikë është vënë nën kontroll të policisë së Kosovës, ndërkaq, për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në këtë pjesë të vendit, pas reagimeve të serbëve lokal, po ndihmojnë edhe forcat e KFOR it. "Atë kanë pasur qëllimin për pikën 1, gjatë natës. Mirëpo, atje ka edhe trupa të KFOR it që janë për çdo eventualitet, në pikën 1 dhe 31", thotë Rexhepi.
Ministri Rexhepi theksoi se vendkalimet kufitare 1 dhe 31 kanë vazhduar punën sot, por duke respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për qarkullimin e mallrave. "Normalisht që vazhdon qarkullimi i lirë i qytetarëve. Por, kamionët dhe mallrat nga Serbia nuk lejohen të hyjnë. Po respektohet vendimi i qeverisë", bën të ditur Rexhepi.
Ndryshe, Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, paralajmëroi se prania e njësive speciale të policisë së Kosovës në veri të Vendit do të vazhdojë, siç është thënë, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme dhe derisa të vendosen doganierët.
****
Situata u tensionua gjatë paradites në Rudare, ku serbët bllokuan rrugën që të çon në pikën kufitare 1. Ata kanë shtënë me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës, duke dëmtuar një automjet të policisë, ndërsa nuk ka informacione për të lënduar.
Aksioni policor për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit, ka filluar mbrëmë rreth orës 22. Policia e Kosovës mbrëmë ishte vendosur në pikën 31, ndërkohë që serbët kishin bllokuar rrugët që çonin në pikën 1, duke e penguar gjatë tërë natës policinë që të vendoset edhe në këtë pikë. Por policia ka arritur të vendoset në këtë pikë kufitare sot rreth orës 8 të mëngjesit.
Njësitet e Policisë Speciale të Kosovës ndërhynë të hënën në mbrëmje në pjesën veriore të Kosovës, për të vendosur kontrollin në dy pikat kufitare me Serbinë, me urdhër të kryeministrit Thaçi. Përfaqësues të shteteve të perëndimore kanë mbështetur vendimin e Qeverisë, që në dy pikat kufitare të policia e Kosovës të zbatojë ndalesën për hyrjen e mallrave serbe.







All the contents on this site are copyrighted ©.