2011-07-25 12:49:32

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit thërret për konsultime nuncin në Irlandë


Pas publikimit të Raportit të Komisionit Hetimor të qeverisë irlandeze rreth akuzave për abuzime ndaj të vegjëlve nga ana e klerit të dioqezës së Klojnit e, pas reagimeve që e ndoqën, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit ka thirrur për konsultime nuncin apostolik në Irlandë, imzot Xhuzepe Leanca. Lajmi u dha sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Të mërkurën e kaluar, gjatë një debati parlamentar, kryeministri irlandez, Enda Keni e pati akuzuar Vatikanin se i ka inkurajuar ipeshkvijtë të mos denoncojnë abuzimet para autoriteteve zyrtare. Menjëherë, reagoi drejtori i Sallës së Shtypit, atë Federiko Lombardi, i cili paralajmëroi se Vatikani do të përgjigjet në çastin e duhur. Gjithsesi, pati shtuar, urojmë që debati mbi tema kaq dramatike, të bëhet me objektivitetin e nevojshëm, në mënyrë që të kontribuojë vërtet në mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve, si edhe në ripërtëritjen e atmosferës së besimit e të bashkëpunimit në Kishë e në shoqëri.
Nga ana e tij, kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin pati hedhur poshtë me forcë akuzat e kryeministrit irlandez, duke nënvizuar se në dioqezën e Klojnit nuk janë zbatuar normat e vitit 2001, të promovuara nga kardinali i atëhershëm Jozef Racinger, papa aktual.







All the contents on this site are copyrighted ©.