2011-07-25 17:42:14

Përfaqësia e Vatikanit në OKB organizoi takimin kushtuar të rinjve dhe dinjitetit të njeriut.


Një takim me titull “Të mbrohen të rinjtë e të promovohet dinjiteti i njeriut” u organizua nga Selia e Shenjtë në Nju Jork, njëkohësisht me takimin e nivelit të lartë, kushtuar të rinjve nga OKB-ja, që nisi sot e do të përfundojë nesër. Në takimin, organizuar nga Misioni i Vëzhgimit të Përhershëm të Selisë Apostolike, kryesuar nga kryeipeshkvi Frensis Çullikat, folën anëtarë të organizatave, që mbrojnë e ndihmojnë të rinjtë si dhe diplomatë e delegatë katolikë të takimit të OKB-së. Mbledhja u mbajt në Auditorium-in e Kishës së Familjes Shenjte të Manhatanit. Gjatë ceremonisë së hapjes, ish-top-model-ja Leah Darrow, foli për jetën e saj, për zbulimin e virtytit të modestisë dhe vlerën e pastërtisë fizike e morale, në një kulturë, si kjo perëndimore, që kushtëzohet dhe orientohet fort nga fitimi, nga dukja, nga kënaqësitë e çastit, nga arritja me çdo kusht e suksesit. Më pas, të pranishmit ndoqën diskutimin e Kristan Havkins, drejtoreshë e shoqatës “Studentë për jetën”, e cila solli në sallë përvojën personale të veprimtarisë në favor të mbrojtjes së jetës, në gjirin e studentëve pranë kampus-eve amerikane. Pastaj disa të rinj folën për udhëtimet e tyre rreth botës e mësimin e madh të jetës, që morën nga të pastrehët e Nju Jorkut, nga fëmijët e braktisur të Perusë, nga të gërbulurit e Ganës. Shtrohej një pyetje rrënqethëse, dramatike, që preku zemrat e pjesëmarrësve: “A e keni provuar, së paku për një natë, të jeni pa strehë? Të jeni i mbushur me plagë e pa ndihmë? Të jeni fëmijë të braktisur?”.Pjesëmarrësit në takim ndoqën edhe kontributin e Shoqatës Katolike të Ndihmës për Lindjen e Mesme (CNEWA) dhe, së fundi, diskutimin e përfaqësuesit të shoqatës së shërbimit të dinjitetit të njeriut, që ofron strehë emergjence, mjekime, programe mikrokrediti dhe shërbime mjekësore për të sëmurët e për njerëzit me kufizime fizike e mendore.







All the contents on this site are copyrighted ©.