Më 25 korrik kalendari kremton festën e shën Jakut të Madh, Apostull
Jaku, i lindur në Betsaide, ishte vëllau i shën Gjonit ungjilltar e i biri i Zebedeut
dhe i Salomesë, që banonin në brigjet e liqenit të Tiberiades. E ndoqi Jezusin pas
që nga fillimet e predikimit të Tij, menjëherë pas Simonit e Andreut. Lindi, pastaj,
kolegji i Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët qenë dëshmitarë të Shndërrimit të Krishtit,
të ringjalljes të së bijës së Jairit e të natës më tragjike të njerëzimit, asaj të
Gjetsemanit. Njohim edhe nënën e shën Jakut, Salomenë, e cila nuk shquhej edhe aq
shumë për virtyte. Mjafton të kujtojmë se kërkoi vende të posaçme në mbretërinë qiellore
për të bijtë, të cilët u treguan të gatshëm ta pinin po atë Kelk që do të pinte Krishti.
E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve,
gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit
nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun
e Madh. Sipas një tradite që nis në shekullin VI, Jaku qe ungjillëzuesi i parë
i Spanjës, prandaj edhe u varros në Kompostelë. Varri me reliket e tij, mbartur nga
Jerusalemi pas martirizimit, u zbulua në kohën e Karlit të Madh, në vitin 814. U bë
menjëherë cak shtegtimesh të mëdha mesjetare, aq sa edhe vetë vendi mori emrin “Shën
Jaku – Sant Jago e aty, në vitin 1075 u ndërtua një nga bazilikat më të mëdha të krishterimit.
Kujtojmë se emri i Shenjtit, Jakob në italisht, Jak në shqip, në spanjisht shqiptohet
Yago. Emri Jak vjen nga hebraishtja e do të thotë “që ndjek Zotin”. U quajt “i
madh” për t’u dalluar nga apostulli me të njëjtin emër, Jaku i Alfeut. Është Pajtor
i shtegtarëve, i kalorësve, i njerëzve që vuajnë nga reumatizmi. Simbolet e Shenjtit
janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit. E festa e Shën Jakut, u kremtua sot
me madhështi në Spanjën që e ka për Pajtor e mbështetet në ndërmjetësimin e tij me
fe e traditë. Liturgjinë solemne eukaristike e kryesoi kryeipeshkvi dioqezan, Imzot
Julian Barrio Barrio. Gjatë kremtimit, që u mbajt në katedralen kushtuar Shenjtit
Pajtor, kryetari i bashkisë, Hosé Sanchez Bugallo, delegat mbretëror, paraqiti “ofrend-ën”
apo lutjen tradicionale drejtuar Apostullit. Më pas, procesioni me reliken e Shenjtit
nëpër rrugët kryesore të qytetit. Në kremtimin, tashmë shumëshekullor, ndërthuren
tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë të cilët nisen nga të katër
anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të Apostullit. Katër janë
rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen e bëhen një rrugë
e vetme…”. me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët evropianë
që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët, për t’u pastruar
shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh.