2011-07-23 12:40:17

Krerë fetarë takohen me presidentin amerikan për të folur për varfërinë


Krerë të ndryshëm fetarë, duke përfshirë edhe përfaqësues të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të SHBA-ve, u takuan më 20 korrik me presidentin amerikan Barak Obama, për t’i kërkuar që ai dhe kongresi të mbrojnë programet për luftën kundër varfërisë e urisë gjatë marrjes së vendimeve të vështira, të cilat parashikojnë masa për shlyerjen e borxhit amerikan. Obama është përfshirë këto ditë në një sërë bisedimesh për arritjen e një kompromisi, i cili do t’i lejonte presidencës të punojë, që SHBA-të të mos kalojnë në të ashtuquajturin “default”, pra të mos jenë në gjendje të paguajnë një pjesë të borxhit të tyre publik.
“Si Konferencë Ipeshkvijsh katolikë – tha, gjatë takimit, përfaqësuesi i katolikëve, ipeshki Rikardo Ramirez i Nju Meksikos – erdhëm këtu jo me ndonjë plan të veçantë, por me një parim themelor moral: nevojat e të varfërve vijnë para shkurtimit të fondeve. Si krerë të fesë, neve nuk na intereson se cila parti fiton betejën aktuale, por dimë se nëse nuk e ngremë zërin, ka shumë mundësi të humbasin familjet me fëmijë, të papunët, fëmijët e sëmurë, të uriturit dhe të pashpresët, kudo në botë”.
Krerët fetarë, që u takuan me presidentin amerikan Barak Obama, bëjnë pjesë në një lëvizje të quajtur “Circle of Protection” (Rrethi i Mbrojtjes), e cila lufton për mbrojtjen e të varfërve nga masat e marra për shlyerjen e borxhit publik. Sipas saj, këto masa nuk duhet të rëndojnë mbi shtresat më të brishta të popullsisë. Lëvizja është themeluar nga 60 organizata të krishtera e 45 agjensi zhvillimi e fe të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.