2011-07-23 12:41:27

Benedikti XVI dhe Dita Botërore e Rinisë: të dashur të rinj, të jesh i krishterë është bukur. Dashuria e Jezusit i jep krahë jetës


Në më pak se një muaj, Benedikti XVI do të shkojë në Madrid për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në kryeqytetin spanjoll, nga data 16 deri më 21 gusht. Për Papën, ky është takimi i tretë ndërkombëtar i të rinjve, në të cilin merr pjesë, pas atij të Këlnit në vitin 2005 dhe atij të Sidnejt në vitin 2008. Vetëm pak ditë më parë, në Madrid mbërritën Kryqi dhe Ikona e Ditëve Botërore të Rinisë, që simbolizojnë bukur temën e këtij viti: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”. Katekizmin, që lidhet me këtë temë, Ati i Shenjtë e ka përvijuar në etapa të ndryshme gjatë këtyre viteve.
Hera e parë që u foli drejtpërdrejt të rinjve, ishte edhe hera e parë, që fliste si papë për Radio Vatikanin. Para se të nisej për në Këln të Gjermanisë, nga Kastelgandolfo, Papa i dha këtë intervistë kryeredaktorit të atëhershëm të programit tonë gjerman, atë Eberhard fon Gemingen:
“Dua që (të rinjtë) ta kuptojnë se është bukur të jesh i krishterë! Ekziston ideja e përgjithshme se të krishterët duhet të respektojnë një mori me urdhërime, ndalime, parime e gjëra të ngjashme me këto, pra, se krishterimi është diçka e lodhshme dhe e vështirë për t’u jetuar e se njeriu është më i lirë pa gjithë këto pesha mbi supe. Por unë dua të sqaroj mirë se të mbështetesh mbi një Dashuri kaq të madhe e mbi zbulesën e saj, nuk do të thotë të marrësh mbi vete një barrë të rëndë, por të fitosh flatra për të fluturuar dhe se është bukur të jesh i krishterë”.
“Është bukur të jesh i krishterë”. Ky pohim është krejtësisht në kundërshtim me mendësinë e sotme, madje edhe të atyre që e kanë frekuentuar Kishën për katekizmin e sakramentet e para të jetës, por që janë larguar më pas prej saj, duke e vëzhguar mërzitshëm nga larg e duke marrë kulturë për krishterimin nga televizioni, apo nga interneti. Benedikti XVI i fton të rinjtë ta njohin Krishtin drejtpërdrejt, pasi “rregullat” e Tij do t’ua ndryshojnë jetën për mirë:
“Dhjetë Urdhërimet, nga të cilat Jezusi, në përgjigjen e tij (për të riun e pasur) përmend shprehimisht vetëm Urdhërimin e dashurisë, janë – nëse mund të thuhet kështu – norma dashurie, që tregojnë rrugën e dashurisë përmes këtyre pikave kryesore: familja si themel i shoqërisë, jeta për t’u respektuar si dhuratë e Zotit, rregulli në seksualitet, në marrëdhëniet ndërmjet burrit e gruas, rendi shoqëror e së fundi, e Vërteta. Këto elemente thelbësore e bëjnë të dukshme rrugën e dashurisë: si të duam me të vërtetë e si të gjejmë udhën e drejtë” (Fjala për të rinjtë e DBR-së dioqezane, 25 mars 2010).
Duke zgjedhur si shok Jezu Krishtin, çdo i ri heq dorë nga disa të ashtuquajtura “liri”, që ofrojnë alkooli ose droga, por natyrisht, thekson Papa, është mirë që ata të heqin dorë prej tyre, ashtu si atletët para Olimpiadave, duke e ditur se ia vlen të bëhen këto përpjekje. Propozim i Papës ky, për të përqafuar atë liri, që nuk na lejon të bëjmë ç’të duam, por të bëjmë mirë, pa kompromise ndërmjet koherencës dhe leverdisë:
“Jo rrallë feja kthehet gati në produkt konsumi. Bëhet ajo që pëlqehet e, ndokush nxjerr madje përfitime prej kësaj. Por feja “sipas qejfit” nuk na ndihmon. Na leverdis, por në orën e krizës na braktis e na lë vetëm. Ndihmojini njerëzit të zbulojnë yllin e vërtetë, që na tregon rrugën: Jezu Krishtin! Të përpiqemi, ne vetë, ta njohim gjithnjë e më mirë për të udhëhequr bindshëm edhe të tjerët drejt Tij” (DBR-ja e Këlnit, Takimi mbrëmësor i lutjes, 20 gusht 2005).







All the contents on this site are copyrighted ©.