2011-07-22 17:35:41

Papa Institucionit Terezian: të rizgjohet fryma e krishterë e humane në botën e arsimit e të kulturës.


Benedikti XVI përshëndet e bekon Institucionin Terezian, në njëqind vjetorin e lindjes së tij. Në një mesazh, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, lexuar gjatë mbledhjes plenare të Institucionit, që vijon në Madrid, Papa kujton me mirënjohje frytet e begata të këtij institucioni ndërkombëtar, themeluar në vitin 1911 nga Pedro Poveda, duke e ftuar ta përtërijë impenjimin për rizgjimin e frymës kristiane e humane, në botën e edukimit e të kulturës, gjithnjë në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm të njeriut. Shën Pjetër Poveda – nënvizon Papa në mesazh - u frymëzua nga shikimi plot dashuri i Zojës së Kovadongës, për të vënë në jetë idenë e gjallërimit të jetës së krishterë e të misionit ungjillëzues, por edhe për t’i humanizuar sektorët e ndryshëm të shoqërisë. Shën Pedro Poveda, njeri i ëmbël, por edhe i vendosur, qe një nga martirët e parë të urrejtjes kundër fesë, që shpërtheu gjatë luftës civile spanjolle. U mbyt në Madrid, më 28 korrik 1936, në moshën 61 vjeçare. Fjalët e fundit, drejtuar atij, që e kishte dënuar me vdekje, qenë: “Jam meshtar i Krishtit”. Përmblidhte, kështu, gjithë hirin e meshtarisë së vërtetë, që di të dojë e të falë deri në vdekje, deri në martirizim. Tejet i vështirë ky mësim, që Zoti nuk e predikoi, por e jetoi në sa, i mbërthyer vetë mbi kryq, lartoi sytë nga qielli e, në grahma, gjeti aq forcë, sa t’i lutej Atit: “Fali, o Atë!”, me bindjen se nuk ishin aspak të vetëdijshëm për krimin më të lemerishëm, që ka parë historia njerëzore: mbërthimin mbi Kryq të Mesisë, Shëlbuesit të shumëpritur!







All the contents on this site are copyrighted ©.