Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Sviontek, dëshmitar i Krishtit në kampet
sovjetike të përqendrimit.
U nis për shtegtimin e mbramë edhe një dëshmitar tjetër i persekutimit të klerit katolik
nën thundrën e diktaturës komuniste. Ndërroi jetë sot, në Bjellorusi, kardinali Kazimiesh
Sviontek, kryeipeshkëv nderi i kryeidoqezës së latinëve të Minsk-Mohilev-it. Ndonëse
i martirizuar për një kohë të gjatë, arriti të jetonte 96 vjet. Mesha për shpirtin
e kardinalit të ndjerë do të kremtohet më 25 korrik, në katedralen e Pinskut. Në një
telegram, drejtuar imzotit Kashkéviç, ipeshkëv i Grodnos dhe kryetar i Konferencës
së Ipeshkvijve katolikë të Bjellorusisë, Papa shpreh ngushëllimet për humbjen e kardinalit,
duke kujtuar dëshminë e tij guximtare për Krishtin e për Kishën e tij, në kohë tejet
të vështira e jo më pak, edhe entuziazmin me të cilin, pa marrë parasysh moshën, as
shenjat e dukshme të mundimeve në kampet e përqendrimit, punoi pa u kursyer për rilindjen
e shpirtërore të Kishës. Një dëshmitar më pak. Gjithnjë më shpesh marrim lajme
të tilla të hidhura. Të ngushëllon fakti se ata që shkojnë, na lenë pas dëshminë,
të shkruar a gojore, duke na ftuar të ecim në gjurmët tyre të lavdishme, në kohë të
reja, me kundërshtarë të rinj, por njëlloj të rrezikshëm.
Kardinali Kazimiesh
Sviontek lindi në Valga, në territorin e administraturës apostolike të Estonisë, më
21 tetor 1914. U shugurua pak para se të shpërthente Lufta II Botërore. Më 21 prill
1941 u arrestua nga Kgb-ja, sigurimi sovjetik, e u mbyll në qelinë e vdekjes, në burgun
e Brestit. Jeta e tij i ngjet jetës së dëshmitarëve tanë të fesë, martirëve, që
flijuan jetën për Krishtin në trojet shqiptare, me burgime, kampe përqendrimi, tortura,
punë të detyruar e më pas, me zellin e jashtëzakonshëm, gati të pabesueshëm, rinor,
që treguan në misionin e madh për rilindjen e fesë, kur erdhën kohë më të mira. Në
vitin 1994 Gjon Pali II e krijoi kardinal e më 2004 iu dorëzua Çmimi ‘Fidei testis’
(dëshmitar i fesë), nga Instituti Pali VI, si dëshmitar besnik e i guximshëm i Krishtit
dhe i Ungjillit, në vitet e vështira, kur Kisha persekutohej në mbarë Evropën Lindore.
Në ditarin e burgut, kardinali Kazimiesh shkruan: “Vetëm në vitet
e fundit të jetës në lager, munda të siguroj hosten e verën për kremtimin e Meshës.
Fshehurazi, natyrisht. Pëdorja si kelk, një kupë qeramike, ndërsa hosten, që ua ndaja
katolikëve, e fshihja në një kuti shkrepsesh. Kujtoj një Meshë, kremtuar për Pashkë
me disa të burgosur katolikë në një lokal lavanderie, mbështjellë me re avujsh. Ishte
kremtimi më i bukur i gjithë jetës sime meshtarake!”. Një dëshmitar më
pak mbi tokë, por një më shumë në shtëpinë e Atit qiellor, të cilit mund t’i lutemi
të ndërmjetësojë për gjithë të martirizuarit e kohëve të vjetra e të reja.