2011-07-22 19:10:12

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 17-të 'A'


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është Mbretëria e Zotit, të cilën kësaj here Ungjilli i së dielës na e paraqet si thesarin më të çmueshëm, të cilin thesar njëherë që gjendet, e nxit çdo njërin të flijoj gjithçka për ta pasur atë. Kështu pra, dëgjues të nderuar, me këtë diele mbyllen leximi i kreut 13-të të ungjillit të Mateut, që na paraqiti mësimin e Jezusit mbi Mbretërinë e Hyjit dhe dinamiken e brendshme të ritmuar mbi besimin, durimin, përvujtërinë dhe fenë.
Në tri shëmbëlltyrat e shkurta e të fundit të kreut të 13-të të Ungjillit të Mateut që kumtohet këtë të diele, Jezusi e përqendron vëmendjen, më shumë se mbi Mbretërinë e Qiellit, mbi atë që i ndodh në atë njeriu që e takon dhe zbulon Mbretërinë e Zotit. Në zemër të këtij njeriu që e zbulon Mbretërinë Qiellore lind një gëzimi madh, që gëzimet tjera në krahasim me vlerën e Mbretërisë Qiellore të janë të vogla e sekondare, për këtë edhe e bindin njeriun të heqë dorë nga gjithçka tjetër vetëm e vetëm për ta "blerë perlën e çmueshme".
Atë çka Jezusi na thotë përmes pjesë ungjillore të kësaj së diele, është një gjë e vërtetë dhe e bukur, e vetëm ai njeri që e ka përjetuar apo që do ta përjetojë atë çka Jezusi thotë, mund të dëshmojë sa gjë e bukur, e vërtetë dhe e rëndësishme është për jetën tonë njerëzore, duke ditur se përderisa do të jemi në detin e historisë dhe në rrjetën e Mbretërisë Hyjnore, gjithmonë mund të jemi peshq të mirë e të këqij njëkohësisht. Prandaj, të angazhohemi e të punojmë, të gëzohemi e të jemi të përvuajtur në pritje të gjyqit të mbramë të Zotit, kur egjra do të ndahet përgjithmonë prej grurit dhe peshku i mirë prej atij të keqi.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na fton të kthehemi në rrugën e Zotit dhe të heqim dorë nga çdo gjë tjetër që e pengon udhën tonë drejt Zotit, që e pengon shenjtërimin e jetës sonë, sipas porosisë e vullnetit të Krishtit Zot.
T'i kërkojmë Hyjit të na fal dhuratën e urtisë për ta kuptuar, dashur e zbatuar ligjin e Tij që është më i çmueshmi dhe më i miri se çdo thesar tjetër.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (1
Mbr
3, 5. 7-12)
Mbreti Salomon që kur ishte në moshë të re kishte zbuluar se asgjë s’ishte më e rëndësishme se dituria. Njeriu mund të realizojë shumë plane njerëzore, por në momentin në të cilin gjendet përballë vetvetes zbulon varfërinë e tij shpirtërore. Zbulon kufijtë dhe mangësitë e tija. Atëherë Hyji bëhet i pranishëm në njeriun dhe i dhuron dituri secilit që pranon përvujtërisht se ka nevojë për të.

Lexim prej Librit të Parë të Mbretërve

Në ato ditë, në
Gabaon, Zoti iu shfaq
Salomonit
natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të jap unë!”
Salomoni
tha: “E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim,
Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit e panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?”
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që
Salomoni
i bëri dhe Hyji i tha
Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.”
Fjala e Zotit

Psalmi 119 (118)
Ref:
Ligji yt, o Zot, është gëzimi im
____________________

Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua ligji yt
se me monedha ari e argjendi.
____________________

Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse ligji yt është kënaqja ime.
____________________

Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Nergur
i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.
____________________

Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa
e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.
____________________


Leximi i dytë (Rom 8, 28-30)

Shën Pali na flet për planin e Hyjit ndaj nesh. Hyji ka plane të mira ndaj njerëzimit dhe përdor mjetet e nevojshme për t’i realizuar. Ne i njohim këto mjete: pagëzimi, thirrja drejt fesë, lutja e Shpirti në ne, shenjtërimi i vazhdueshëm i qënies sonë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.
Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja.

Ungjilli (Mt
13, 44-52)
Jezusi me shëmbëlltyrat e thesarit, të perlës dhe të rrjetës na bën të kuptojmë se lumturia e vërtetë është shpesh e fshehur dhe ai që e kërkon duhet të sforcohet dhe të heqë dorë nga shumë gjëra. Njeriu që zgjedh thesarin e Hyjit pranon të humbasë gjërat që nuk kanë rëndësi përballë zgjedhjes së tij. Edhe Kisha që shpall të vërtetën e Ungjillit nuk ka frikë se disa mund të largohen nga ajo.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas
Mateut

Në atë kohë,
Jezusi
i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me
vlefte
të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.”
Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.
A i kuptuat të gjitha këto?”
“Po!” – i përgjigjën ata.
E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.”
Fjala e Zotit
Më tepër mund ti dëgjoni këtu leximet biblike dhe komentin.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.