Imzot Çullikat kujton qëndrimin e Selisë së Shenjtë mbi çështjen bërthamore.
“Çështja bërthamore: mësimet e Kishës dhe gjendja aktuale”: ky ishte titulli i konferencës,
mbajtur nga kryeipeshkvi Frensis Çullikat, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë
pranë OKB-së, në Kansas City të Misurit, në fillim të muajit. Një panoramë rrënqethëse,
me 20. 000 armë bërthamore, në 111 qëndra, në 14 vende të botës. E numrit të armëve,
i shtohen edhe shpenzimet: 100 miliardë për mirëmbajtjen dhe modernizimin e arsenaleve
bërthamore. Imzot Çullikat i kujtoi këto shifra, për t’i treguar mbarë botës se çështja
e çarmatimit bërthamor mbetet e pazgjidhur, ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi
i ‘luftës së ftohtë’, e cila mund të bëhet tejet e nxehtë, në se problemi nuk merret
e nuk zgjidhet seriozisht. E pikërisht kjo e shqetëson Kishën Katolike që, duke i
kujtuar njerëzimit mësimet e Gjon Palit II e të Benediktit XVI, i kundërvihet çdo
lloj përdorimi të armëve bërthamore. Prej këndej, prelati theksoi se objektivi duhet
të jetë çarmatimi i plotë, zhdukja e të gjitha arsenaleve bërthamore, gjë që ishte
edhe qëllimi i superfuqive, menjëherë pas ‘luftës së ftohtë’.