Benedikti XVI: Shën Maria Magdalenë na mëson si t’i kërkojmë ndihmë Jezusit në çastet
e ligështisë njerëzore
Kisha shënon sot me 22 korrik përkujtimin liturgjik të shën Marisë Magdalenë, nxënëse
Jezu Krishtit Zot, e para dëshmitare e të Ngjallurit: grua – kujton Papa Ratcinger
me fjalët e shën Tomës së Akuinit – që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’. Ashtu
si qe një grua, që i kumtoi burrit të parë fjalët e vdekjes – shkruan Akuinasi – kështu
qe një grua, që u kumtoi e para apostujve fjalët e jetës. Maria ishte nga Magdala,
qytezë e Galilesë në brigjet e liqenit të Tiberiades. Ungjijtë e kujtojnë ndërmjet
grave, që e ndiqnin Jezusin, “pasi ai i pati shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet”,
duke saktësuar se nga ajo kishin dalë ‘shtatë djaj”. “Historia e Marisë nga
Magdala na kujton të gjithëve një të vërtetë themelore: dishepull i Krishtit është
ai që, pasi provon ligështinë njerëzore e ka përvujtërinë t’i lypë ndihmë, shërohet
prej Tij dhe e ndjek nga afër, duke u bërë dëshmitar i fuqisë së dashurisë së tij
përdëllyese, e cila është më e fortë se mëkati e se vdekja”(Engjëlli i Tënzot
i 23 korrikut 2006). Kur Krishtin e mbërthejnë në kryq, ndërsa apostujt, përveç
Gjonit, ua mbathin këmbëve nga frika, Maria Magdalenë mbetet aty, në Golgotë, pranë
Zotit të saj të rrahur, të pështyrë, të përgjakur, të kryqëzuar. Është aty, përkrah
Zojës së Dhimbshme e grave të tjera. E shikon Mësuesin duke dhënë shpirt. Pastaj,
në mëngjesin e ditës së parë pas së shtunës, e gjejmë, të mbytur në lot, pranë varrit
të zbrazët, me një dëshirë të vetme: të dijë ku e kanë çuar Jezusin. Zemra e saj e
plagosur digjet nga kjo dëshirë: ta gjejë, me çdo kusht, të varrosur në një varr të
ri! Por e gjen të gjallë! “E gjen dhe e njeh kur Ai e thërret me emër. Edhe
ne, në se e kërkojmë Zotin me shpirt të thjeshtë e të çiltër (sinqertë), do ta takojmë
pa tjetër. Madje do të jetë ai vetë që do të na thërrasë me emër e do të na bëjë të
hyjmë në thellësitë e dashurisë së tij” (Audienca e përgjithshme e 11 prillit
2007). Shqetësimi e çorientimi i Magdalenës kthehen në gëzim e entuziazëm. Por
Jezusi i thotë edhe: “Mos më mbaj, sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati”: “Maria
Magdalenë dëshiron ta ketë Mësuesin e vet pranë si më parë, duke menduar për Kryqin
si për një kujtim dramatik, që duhet harruar. Tashmë për ta takuar, nuk duhet të kthehesh
pas, por të krijosh një lidhje të re me të. Duhet shkuar përpara. E kjo ngjet me Tomën:
Jezusi ia tregon plagët e veta jo për ta harruar kryqin, por për ta bërë të paharrueshëm
edhe për të ardhmen”(Audienca e përgjithshme e 11 prillit 2007). Takimi me
Krishtin e ngjallur e ndryshon thellësisht Marinë Magdalenë, e cila ngarend menjëherë
tek Apostujt për t’u kumtuar ngjarjen më të madhe të njerëzimit, atë që ia ndryshoi
rrjedhën gjithë historisë: “Kam parë Zotin!”: “Ja, kush takon Jezusin e ngjallur
shndërrohet shpirtërisht; por, nuk mund ta shikosh të Ngjallurin, në se nuk beson
në Të. Të lutemi që të na thërrasë të gjithëve me emër, e kështu të bëjmë kthesë,
duke i hapur mirë sytë, për të parë vegimin e fesë. Feja lind nga takimi personal
me Krishtin e ngjallur; bëhet burim guximi e lirie, që të nxit t’i kumtosh me sa zë
që ke botës: “Jezusi u ngjall e jeton përgjithmonë e jetës!”. E ky është misioni i
dishepujve të Zotit në çdo epokë, edhe në kohët tona”(Audienca e përgjithshme
e 19 prillit 2006). Edhe ne, si Maria Magdalenë, si Shën Toma e Apostujt e tjerë,
duhet të jemi dëshmitarë të vdekjes e të Ngjalljes së Krishtit. Nuk mund ta mbajmë
vetëm për vete lajmin e madh. Duhet ta marrë vesh gjithë bota se “Kemi parë Zotin”.
Virgjëra Mari na ndihmoftë që, me hirin e Shpirtit Shenjt, të bëhemi të aftë për ta
çuar këtë mesazh kudo që jetojmë e punojmë.