Me 21 korrik, kalendari përkujton shën Lorencin nga Brindisi
Me 21 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Lorencin nga Brindisi, meshtar e doktor
i Kishës Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Lorencin nga Brindisi.Në
pagëzim u quajt Jul Qesari. Lindi në Brindisi, në familjen fisnike, por tashmë të
varfëruar, të Gulielm Russoit e Elizabeta Mazelës. Më 1559 i vdiq i jati, ndërsa e
ëma e la vetëm 14 vjeç. Humbja e s’ ëmës i shkaktoi një dhimbje të thellë, të pangushëllueshme.
Duke qenë tepër i vogël për jetë të pavarur, për të u kujdes një nga xhaxhallarët,
i cili edhe e bëri bir në shpirt. Shkoi, kështu, të banonte në Venedik, ku u njoh
me kapuçinët. Studioi në Veronë e në Padovë, më pas në Venedik. Në vitin 1582
Juli u bë fra Lorenci nga Brindisi. Ishte njeri i librave, njohës i thellë i Biblës,
të cilën e dinte përmendësh në gjuhën hebraike. Shumë shpejt u bë i njohur edhe si
predikatar. E kjo sepse, përveç kulturës së jashtëzakonshme, kishte edhe zë të bukur
e pamje madhështore. Urdhri e dërgoi në vendet më të vështira, në Bohemi, për
shembull, ku popullata ishte shkëputur nga Kisha. U prit me armiqësi, por nuk hoqi
dorë nga misioni i tij pajtues: nisi të predikonte me zjarr, të pajtonte armiqësitë,
të udhëhiqte veprën e kapuçinëve. Me që fjala e tij përkonte plotësisht me mënyrën
si jetonte, nisën ta respektonin edhe kundërshtarët më autoritarë të cilët, duke e
ndjekur kur kremtonte Meshën, panë me sytë e tyre se ai e rijetonte flijimin e Krishtit
në Kryq, që përsëritej në elter. Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit aq,
sa të zgjidhej në krye të Urdhrit, si gjeneral i të gjithë fretërve, të cilët e mbiquajtën
“ngushëllimi i vëllezërve”. Papët e princat evropianë i besuan misione të vështira
diplomatike. Për tri vjet Fra Lorenci përfaqësoi Kishën në Bavari. E napolitanët,
që nuk mund ta duronin më dukën Osuna, e kërkuan atë si ambasador pranë Filipit të
Spanjës. Më 1619, pikërisht në sa drejtonte bisedimet e suksesshme me Filipin
III në dobi të napolitanëve, u takua, papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori
me vete në sa mbushte 60 vjeç. U shpall shenjt nën papninë e Leonit XIII në vitin
1881. Shkrimet e tij mbetën të panjohura deri në botimin e plotë në vitet 1925-1956.
E pas këtij botimi, Papa Gjoni XXIII do ta shpallte Shën Lorencin doktor i Kishës,
me cilësimin Doktor apostolik.