2011-07-20 16:41:48

Programi i shtegtimit të Benediktit XVI në Gjermani (22-25 shtator 2011).


Salla e Shtypit e Vatikanit botoi sot programin zyrtar të vizitës apostolike të Benediktit XVI në Atdhe, me temë: “Ku është Zoti, është ardhmëria”
Hera e tretë që Papa viziton Gjermaninë, pas shtegtimeve në Këln, në gusht 2005, për Ditën Botërore të Rinisë dhe në Bavari, në shtator 2006. Do të jenë katër ditë tepër të ngarkuara me veprimtari, me katër ndalesa kryesore: Berlin, Erfurt, Etzelsbach dhe Friburg.

Papa Racinger do të niset drejt Gjermanisë të enjten, më 22 shtator nga Aeroporti i Çampinos, për të arritur në Aeroportin ndërkombëtar Tegel të Berlinit ku, rreth orës 10.30, do të organizohet edhe pritja zyrtare. Ndërsa ceremonia e mirëseardhjes, gjatë së cilës Ati i Shenjtë do t’i drejtojë Atdheut përshëndetjen e parë, do të mbahet në Kështjellën Bellevue të Berlinit. Më pas, vizita e mirësjelljes presidentit federal, Christian Wulf, gjithnjë në Kështjellën berlineze dhe takimi zyrtar me kancelaren Angela Merkel, në Selinë e Konferencës ipeshkvnore gjermane, pranë Akademisë Katolike. Në orën 13.30 Papa do të mbajë fjalimin e dytë, të shumëpritur, të këtij shtegtimi, gjatë vizitës në Parlamentin Federal, në Raihshtag të Berlinit. Po këtu do të takohet përfaqësues të bashkësisë hebraike.
Në orën 18.30, në Olympiastadion të Berlinit, do të bashkëkremtojë Meshën Shenjte. Do të mbajë edhe homelinë.
Me këtë Meshë, përfundon edhe dita e parë, tejet e ngarkuar me veprimtari, e shtegtimit të Papës në Gjermani.

Të premten, 23 shtator, Papa do ta nisë me Meshën private në kapelën e Nunciaturës Apostolike, në Berlin, për t’u takuar, rreth orës 09.00, me përfaqësuesit e bashkësisë myslimane, në Sallonin e Pritjeve të Nunciaturës Apostolike. Pas fjalimit të këtij takimi, do të niset, nga Aeroporti ndërkombëtar Tegel, për Erfurt, në Turingi, në viset ku pati jetuar Martin Luteri. Sapo të arrijë, do të vizitojë katedralen kushtuar Zojës së Bekuar, për t’u takuar, më pas, me përfaqësuesit e Këshillit të Kishës ungjillore gjermane, në Sallën e Kapitullit të Kuvendit agostinian të Erfurtit. Këtu Ati i Shenjtë do t’u drejtojë një fjalim të pranishmëve, për të drekuar, më pas, në Seminarin e Erfurtit e për t’u nisur menjëherë për në Etzelsbach. Do të ndalohet pranë Wallfahrtskapelle, ku do të kremtojë Lutjet Mbrëmësore, për t’u rikthyer në Erfurt.

Mesha Shenjte në Katedralen e Erfurtit, me homelinë papnore, duke filluar nga ora 9.00; nisja për Baden-Württenberg, vizita në katedrale, përshëndetja drejtuar qytetarëve, takimi me ish-kancelarin Helmut Kohl në seminarin e vendit dhe tre takime të tjera: ai me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse, me seminaristët dhe me Këshillin e Komitetit Qëndror të katolikëve gjermanë, do të jenë veprimtaritë e së shtunës, 24 shtator, ditë që do të përfundojë me Mbrëmësoren e Lutjes kushtuar të rinjve në Panairin e Friburgut.

Arrijmë tek e diela, 25 shtator, dita e fundit e shtegtimit, në zemër të së cilës është kremtimi i Meshës në Aeroportin turistik të Friburgut, pasuar nga lutja e Engjëllit të Tënzot. Pas drekës, në mjediset e Seminarit të vendit, me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore dhe grupin shoqërues, Ati i Shenjtë do të takohet me përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese Federale, në Seminarin e Friburgut. Më pas, me katolikët e impenjuar në Kishë e në shoqëri; për t’i dhënë lamtumirën Atdheut nga Aeroporti i Lahr. Nisja pastaj, për Kastel Gandolfo, ku Benedikti XVI pritet rreth orës 20. 45.
Për kryetarin e Konferencës ipeshkvnore gjermane, imzot Robert Zollitsch, vizita e Papës, ngjarje e rëndësishme për jetën e vendit e të Kishës gjermane, do ta inkurajojë bashkësinë katolike për të vijuar shërbimin e zellshëm, në dobi të çdo njeriu e të mbarë shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.