2011-07-20 16:42:09

Në Madrid arrin Kryqi i Ditës Botërore të Rinisë; priten më se një milion të rinj.


Madridi bën përgatitjet e fundit për të pritur Papën dhe të rinjtë që do të marrin pjesë në DBR-së 2011. Vetëm një muaj na ndan nga 16 gushti, dita e parë e takimit të madh. Kremtimet kryesore papnore do të mbahen në aerodromin e Cuatro Vientos, ku Benedikti XVI do të kryesojë një mbrëmësore, të shtunën, më 20 gusht, pasuar nga Mesha e së dielës, kulm i festës së madhe rinore. Protagonistë, edhe Sheshi i Cibeles, ku do të kremtohet Mesha e hapjes së takimit e pritja e Papës, më 18 e, sidomos, ashtu si në takimet e mëparshme, Udha e Kryqit, më 19 gusht. Numri i vullnetarëve, sipas drejtorit ekzekutiv të DBR-së Madridit, Yago de la Cierva, deri tani ka arritur në 30 mijë vetë. Në këtë atmosferë, në kryeqytetin spanjoll arritën Kryqi dhe Ikona e DBR-së, që u pritën me një mbrëmësore lutjesh, kryesuar nga kryipeshkvi i Madridit, kardinali Antonio Maria Ruoco Varela. Për hollësitë, në mikrofonin tonë, Marieta Jaureguizar,drejtoreshë e Zyrës së shtypit të DBR-së:

Përgjigje: - Pritja e Kryqit dhe e Ikonës së DBR-së, që përshkuan 63 dioqezat spanjolle, duke bërë më se 19 mijë kilometra udhë, ishte tejet emocionante. Të gjithë të rinjtë e Madridit, të pranishëm në katedrale, e ishin shumë, e pritën me entuziazëm, sepse kjo festë shënon afrimin e ditës së tyre të madhe të takimit me të rinj nga mbarë bota, pikërisht nën hijen e Kryqit. Kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Varela, u foli të rinjve me një entuziazëm, që i preku të gjithë. Theksoi posaçërisht se DBR-së është burim gëzimi e krenarie për dioqezën e Madridit, organizatore e një feste kaq të madhe.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për arritjet e deritanishme organizative? Sa vetë janë regjistruar?

Përgjigje: - Organizimi nisi dy vjet më parë e tani po punojnë me vrull të veçantë të 16 zonat operative. Të gjitha strukturat janë mbyllur e mungon akoma vetëm konkretizimi i disa hollësive. Deri tani janë regjistruar 420 mijë të rinj, por puna vijon e ne mendojmë se numri do ta kalojë milionin. Një kuriozitet: sot u regjstruan më shumë të rinj italianë, sesa spanjollë. E kjo, sepse ngarendin të regjistrohen më shumë ata, që kanë nevojë për strehim. Pas italianëve, vijnë të rinjtë francezë e ata amerikanë. Janë shkruar të rinj nga 193 vende të botës. Prandaj mund të themi se do të vijnë nga mbarë bota. Ndërkaq, në Spanjë ne vijojmë punën për t’i nxitur të rinjtë, ndonëse nuk ka shumë nevojë për nxitje. Realiteti tregon se do të përfaqësohen me shumicë të gjitha famullitë e vendit, lëvizjet, kolegjet. Shumë prej tyre tanimë janë në pritje të ngjarjes së madhe, takimit me Papën Benedikti XVI.

Pyetje: - Edhe famullitë e familjet e Madridit do t’i presin të rinjtë, që do të vijnë nga të katër anët?
Përgjigje: - Natyrisht. Nuk është gjë e lehtë të strehosh më se 300 mijë të rinj. Drejtori i turizmit pohoi se hotelet e Madridit kanë kapacitet për 70 mijë vende. Prej këndej, ishte më se domosdoshme të mobilizoheshin famullitë, familjet, sepse të rinjtë duhet të jenë këtu si në shtëpinë e vet. Prej muajsh punohet që kolegjet, qendrat sportive, famullitë, hapësirat e caktuara nga administrata publike e private, të kthehen në bujtina, të përshtatshme për të rinjtë. Jemi përgatitur me gjithë entuziazmin e botës, sepse presim një botë të tërë! Më se 250 vetë, nga të cilët 80% vullnetarë, punojnë që mysafirëve tanë të rinj të mos u mungojë asgjë gjatë ditëve, që do t’i kalojnë mes nesh. Duhet që të rinjtë të mos shqetësohen për asgjë; ta jetojnë Ditën e tyre si takim feje, takim me Krishtin, takim mrekullisht të bukur, të paharrueshëm. Shpresojmë se edhe tek ne do të përsëritet mrekullia e DBR-së së Sidneit, në Australi. Nuk ka takim tjetër, sportiv a kulturor qoftë, që mund ta shndërrojë jetën e të rinjve, si ky që pritet. E ne shpresojmë se kështu do të jetë edhe takimi i madh i Madridit.







All the contents on this site are copyrighted ©.