2011-07-20 15:21:12

Konferencë ndërfetare për një “Irak të ri”


U mbajt këto ditë në Kirkuk një konferencë ndërfetare me temë: “Së bashku, të forcojmë bashkëjetesën në Irak”. Takimi u kryesua nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Luis Sako, i cili ishte edhe organizator i konferencës, së bashku me Shoqatën për popujt e kërcënuar të Erbilit (Kurdistan). Në të morën pjesë rreth 150 krerë fetarë e politikë nga bashkësitë e krishtera e myslimane, nga etnitë kurde, arabe, turkomane, kalde asire jazida, mande. Tema e bashkëjetesës u analizua në planin shoqëror, edukativ, psikologjik e fetar.
“Iraku – theksoi imzot Sako – përbëhet nga grupe të ndryshme, në një mozaik kulturash, qytetërimesh, fesh, sektesh e gjuhësh të shumëllojshme. Të gjithë bartin një pasuri, që i lidh thellësisht me njëri-tjetrin. Vendi ka nevojë për një model kulturor e shoqëror, në gjendje të nxisë bashkimin përmes pluralizmit, tolerancës e harmonisë ndërmjet feve dhe etnive”. Sipas kryeipeshkvit të Kirkukut, fetë duhet të mësojnë si të jetojnë së bashku e politika, e ndarë nga kulti, duhet të hartojë një kushtetutë, ku të garantohen të drejta dhe detyra të barabarta për të gjithë. Së fundi, imzot Sako u ndal te sistemi edukativ: është e rëndësishme – theksoi ai – të shlyhen nga programet shkollore shprehje, që i ftojnë nxënësit të urrejnë, apo të diskriminojnë një grup fetar në favor të një tjetri.







All the contents on this site are copyrighted ©.