2011-07-20 15:20:26

Arrestohet krimineli serb Goran Haxhiç


Krimineli i fundit serb, i kërkuar nga Gjykata e Hagës, u arrestua sot. Goran Haxhiç akuzohet për vrasjen e qindra civilëve kroatë dhe për dëbimin me dhunë të 28 mijë të tjerëve, gjatë luftës Serbi-Kroaci, në vitet 1991-1995. Haxhiç ndodhej në rajonin Fruska Gora, rreth 100 km në veriperëndim të Beogradit.
Siç theksoi në konferencën për shtyp presidenti Boris Tadiç, tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga bashkësia ndërkombëtare për integrimin evropian të Serbisë. Pavarësisht se pranoi që vendi duhet të bëjë edhe reforma të tjera për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Tadiç theksoi se pas arrestimit të 44 të kërkuarve nga Gjykata e Hagës, serbët presin që Evropa të kalojë nga premtimet në fakte konkrete. Beogradi shpreson që deri në fund të vitit, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Arrestimi i Goran Haxhiç u bë dy muaj pas atij të ish-gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mlladiç, duke mbyllur kështu, edhe listën me 161 të akuzuar nga Haga për luftrat e fundit në Ballkan.








All the contents on this site are copyrighted ©.