2011-07-19 13:03:38

Më 11 shtator, krerët e feve do të mblidhen në takimin e Shën Egjidit në Mynih


Dhjetë vjet pas atentateve të 11 shtatorit, të cilat qenë fillimi i një serie ndeshjesh e luftrash, në përpjekjen për t’iu kundërvënë terrorizmit, krerë të feve të mëdha botërore, krerë shtetesh, njerëz të kulturës nga i gjithë globi do të mblidhen në Mynih të Gjermanisë, nga 11 deri më 13 shtator, me rastin e Takimit ndërfetar për paqen, organizuar çdo vit nga Bashkësia kishtare e Shën Egjidit. Takimi, siç shpjegojnë vetë organizatorët, bëhet shumë pranë atij të Asizit, i cili do të festojë 25 vjetorin në tetor, në praninë e Papës Benedikti XVI dhe të liderëve të feve botërore.

Mitingu i Shën Egjidit do të përurohet nga presidenti gjerman Kristian Vulf, pikërisht më 11 shtator. Kancelarja Angela Merkel do ta marrë fjalën para Asamblesë së Përgjithshme më 12 shtator e shumë ministra do të marrin pjesë në çaste të ndryshme të Kuvendit. Parashikohet të vijnë një numër i madh përfaqësuesish të feve të ndryshme.

Për Kishën Katolike do të jenë të pranishëm krerë të dikastereve të Vatikanit, që kanë të bëjnë me dialogun ndërfetar si kardinalët Kurt Koh, Roxher Etçegaraj dhe Leonardo Sandri. Kanë konfirmuar edhe kardinali Kreshencio Sepe nga Napoli, kardinali Filip Barbarin nga Lioni dhe kardinali Peter Erdë nga Budapesti.

Përveç ndjekësve të feve të mëdha në të gjitha konfesionet e tyre, do të ketë përfaqësues edhe nga budizmi japonez, srilankez e kamboxhian, nga fetë e lashta indiane, përfshi jansenizmin dhe parsizmin, si edhe nga fetë tradicionale si shintoizmi.







All the contents on this site are copyrighted ©.