2011-07-19 13:08:15

Beteja për fitoren mbi Sidën në vendet e varfëra


Shtrirja universale e mjekimeve kundër virusit Hiv, sot është një objektiv i realizueshëm. E nënvizuan këtë Mjekët pa Kufij, ditën kur në Romë u hap konferenca ndërkombëtare për luftën kundër Sidës. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, falë përhapjes së variantit gjenerik të ilaçeve kundër sëmundjes, u krijuan mundësitë të ulen çmimet e të vihen në jetë programe mjekimi, edhe atje, ku më parë besohej se do të arrihej tepër vonë. Megjithatë – denoncon organizata e Mjekëve pa Kufij – vendet e pasura, përveçse i kanë pakësuar në mënyrë të ndjeshme shumat buxhetore për luftën kundër sëmundjes, sot po ndikojnë në mënyrë të pandershme, duke përkrahur ndërmarrjet farmaceutike, që prodhojnë ilaçe të patentuara, me çmime shumë të larta. Të dëgjojmë dëshminë e Siama Abraham Musine, iniciatore për mbrojtjen e shëndetit pranë organizatës së Mjekëve pa Kufij në Kenia, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Quhem Siama Abraham Musine e jam 36 vjeçe. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë zbulova, përmes analizës, se isha sieropositive. E ndjeva veten tepër keq e, pas pak kohe, të gjithë anëtarët e familjes sime e të bashkësisë, nisën të më kujtonin se do të vdisja së shpejti e se e kisha turpëruar familjen time, nga që të gjithë do ta merrnin vesh se kisha vdekur nga sëmundja e tmerrshme. Përgatitesha shpirtërisht për vdekjen, e cila do të vinte shumë shpejt, sepse ky është, pak a shumë, paragjykimi që kanë njerëzit për këtë sëmundje. Kur u shtrova në spital, më thanë se ekzistonte një mjekim edhe për Hiv-in, por, për fat të keq, asokohe, nuk mund ta paguaja, sepse kushtonte tepër shtrenjt. Në vitin 2004 mësova se Organizata Mjekë pa Kufij, i ofronte ilaçet në lagjet e jashtme të Kiberës. Vendosa menjëherë të shkoj e t’i provoj. Kur arrita, isha bërë kockë e lëkurë, ndjehesha keq e mos më keq. Kaluan dy muaj e jo vetëm gjendja ime shëndetësore, por edhe qëndrimi ndaj jetës, ndryshuan krejtësisht. Nisa të flas me nënën dhe e binda se isha në një rrugë shumë të mirë. Nga ky çast, nëna filloi të më ndihmonte. E kështu ndodhi edhe me familjet e tjera, që kishin fëmijët në bashkësi.

Pyetje: - Ju, pastaj, vendosët ta përdorni përvojën tuaj në ndihmë të të tjerëve e sot jeni iniciatore e mbrojtjes së shëndetit në bashkësitë e ndryshme. Jepni dëshminë tuaj në ndihmë të të sëmurëve dhe kujdeseni për shërimin e tyre nga virusi Hiv…

Përgjigje: - Jam krenare, që bëj pjesë në grupin e njerëzve, të cilët dëshmojnë se ilaçet gjenerike janë efikase. Nëse 16 vjet pasi zbulova se jam sieropozitive vijoj të jetoj, atëherë sigurisht që ilaçet gjenerike veprojnë me sukses. Mendoj për këtë e shikoj se jam në gjendje të ndërtoj shtëpinë, të kujdesem për vetveten, të fitoj aq, sa më duhen për të jetuar, për të paguar studimet e tim biri... E jo vetëm kaq: punoj në bashkësinë time për mbrojtjen e shëndetit. Për gjithë këtë, duhet të falënderoj ata, që më mësuan të përdor ilaçet gjenerike, të cilat i ndihmojnë të prekurit nga kjo sëmundje, ta rifitojnë shëndetin, ta shikojnë pa frikë të ardhmen e të kthehen përsëri në jetë.

Pyetje: - Nga historia juaj, kuptoj se dy janë pengesat kryesore, që duhen kapërcyer: paragjykimi e padija, nga njëra anë, e nga ana tjetër, vështirësia për të siguruar fondet, që duhen për të blerë ilaçet. Vijojnë të jenë akoma këto dy pengesa?

Përgjigje: - Përsa i përket paragjykimit, duhet të them se paragjykimet, në nivel shoqëror, janë pakësuar shumë. Personalisht, nuk u kushtoj kurrfarë vëmendjeje paragjykimeve. Flas për vete, si për një njeri që mjekohet, për t’u kujtuar atyre, që nuk mjekohen, se në pak kohë do të vdesin nga kjo sëmundje. Ndërsa ilaçet e kthejnë njeriun përsëri në jetë, e bëjnë aktiv, produktiv, të aftë për të jetuar si njeri normal. E përsa i përket problemit të financimit, u kërkoj të gjithë vendeve anëtare të G8 t’i mbajnë premtimet për financimin e Fondit Botëror, në mënyrë që sa më shumë njerëz të mund të mjekohen me ilaçet e duhura. Në se nuk do të shtohen financimet, në se nuk do të jepen këto para, njerëzit nuk do të mund të mjekohen e kështu do të krijohen probleme të dyfishta, sepse ne, sieropozitivët, kur mjekohemi, bëhemi të aftë për punë, jetët tona përmirësohen e kontribuojnë edhe për përmirësimin e shoqërisë.

Pyetje: - Ju nënvizoni se mjekimi nuk është aspak i vështirë e se edhe se ju vetë, në fillim, e nisët me frikë një mjekim të tillë…

Përgjigje: - Mjekimet janë shumë të thjeshta për t’u ndjekur, sepse bëhet fjalë vetëm për të marrë një a dy hapa në ditë. E duhet nënvizuar se këto mjekime kanë sjellë rezultate të ndjeshme edhe në kufizimin e përhapjes së sëmundjes, që ngjitet shumë më lehtë, në se nuk përdoret mjekimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.