2011-07-19 13:02:10

111-vjetori i lindjes së Atë Çiprian Nikës, martir i fesë në Shqipërinë komuniste.


Dedë Nika, që më vonë do të merrte emrin rregulltar Çiprian, lindi në Shkodër më 19 korrik 1900 në familjen e Mëhillit e të Ana Ali Mirashit. Shkollën e parë e bëri në prehër të prindërve, besimtarë të përshpirtshëm katolikë. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, ku ndjeu edhe thirrjen për të ecur në rrugën e jetës rregulltare françeskane. Veshi zhgunin e shën Françeskut të Asizit më 16 tetor 1916; më 23 tetor 1917 bëri kushtet e përkohshme të jetës rregulltare; më 16 shtator 1921, kushtet e përjetshme rregulltare, ndërsa Meshën e parë e kremtoi më 25 korrik 1924.
Studioi filozofi e teologji, më parë në Shkodër e më pas në Austri, ku i përsosi e i kreu studimet e larta. Më 17 qershor 1938 u zgjodh provincial i Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë; ishte i pesti provincial shqiptar. Kishte përkrah, si kustod, Atë Mati Prendushin. Në vitin 1941 ishte definitor i Provincës, ndërsa në vitin ogurzi 1946 - i burgosur politik, së bashku me 15 fretër të tjerë, ndërmjet të cilëve, pesë martirë të ardhshëm. Ishte nëntor, kur e arrestuan me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane të Gjuhadolit në Shkodër.
Një bashkëvuajtës, që ndau me Atë Çirpian Nikën qelinë, e kujton kështu: ˝Në qelinë e vogël ku më flakuen, gjeta një frat të heshtun, të gjujuem, që lëvizte buzët, por pa lëshue za. Lutej. Fëtyra e tij e përvujtë rrezatonte besim e shpresë, sidomos kur përsëriste lutjen: “O Ati em, më ndihmo me kenë i dêjë për hirë e dashtëni tande”.
Atë Çirpian Nika u pushkatua nga komunistët pa gjyq më 11 mars 1948.
Ati qiellor ia dëgjoi lutjen. Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar i shenjtë, i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim. E përmbush edhe të gjitha kushtet që në Kishën katolike e përjetësojnë njeriun që dhuroi gjithçka ishte e kishte për Zot e për njeri, për Fe e Atdhe. Po e përfundojmë përkujtimin e 111- vjetorit të lindjes së Atë Çirprianit me lutjen: Ndërmjetëso për ne, që të bëhemi të denjë për hirë e dashuri të Krishtit Zot!.







All the contents on this site are copyrighted ©.