2011-07-18 13:38:58

Evropa në krizë. Çmimin e paguajnë familjet e të varfërit


Kriza ekonomike në disa vende evropiane si në Greqi, në Portugali apo në Irlandë dhe frika e përhapjes në Itali e gjetiu po deziluzionon rëndë familjet e shtresave të mesme të shoqërisë, të cilave u duhet të paguajnë më shumë se të tjerët çmimin e masave të ndërmarra për përmirësimin e gjendjes. Për shembull, manovra italiane eliminoi disa shërbime shëndetësore falas, ose shpërblimin për fëmijët. Pse u arrit në këtë pikë? Të dëgjojmë opinionin e pedagogut italian Xhanfranko Viesti, nga Universiteti i Barit:

Sepse nuk arritëm t’i japim një përgjigje politike Italisë në Evropë, e cila është më e fortë se spekullimi, kur është e bashkuar, duke garantuar kështu edhe vendet më të vogla. Ndërhyrjet janë bërë aty ku është më e lehtë, me shpresën se secili, duke pësuar goditje relativisht të vogla, të protestojë më pak. Por kështu, humbet rasti për të realizuar ndërhyrje, që sjellin më tepër barazi, por edhe i japin një shtysë pozitive ekonomisë. Me trishtim, duhet të them se masat e marra mund të mos mjaftojnë për stabilizimin e situatës e, shpejt, mund të nevojiten të tjera.

Mund të duket e çuditshme, por ndokush mendon se duke u dhënë familjeve më tepër para, ato do ta qarkullonin, duke bërë që ekonomia ta merrte veten. Ç’mendoni për manovrën italiane?

Gjykimi im personal mbi manovrën e Italisë është fortësisht negativ, jo vetëm sepse godet më të dobtit, por edhe sepse i bën keq ekonomisë: ul më tej konsumin dhe kërkesën e brendshme të tregut. Pra, na kthen mbrapsht. Alternativa ekziston. Duhet ta kuptojmë se në Itali gabuam me eliminimin e taksës për shtëpinë e parë, jo sepse është mirë të paguash taksa, por sepse të gjithë duhet të kontribuojnë në përpjestim me pasurinë që kanë, përndryshe godasim ata të varfër, që nuk mund të kenë prona e që janë tepër të varfër për të paguar taksat mbi të ardhurat, pasi u heqim të gjitha mjetet, që shërbenin më parë për t’i mbajtur larg varfërisë. Kjo u bën keq familjeve, por edhe ekonomisë, pasi zvogëlohet konsumi.

Në botën e globalizuar, në të cilën jetojmë, pesha e organizmave ndërkombëtare është rritur. Por sa u kushton shteteve mbajtja e këtyre organizmave?

Problemi nuk është aq pjesëmarrja në këto organizma – gjë që e konsideroj të nevojshme – por mënyra e pjesëmarrjes në to. Nuk mund të reduktohen thjesht në vëzhgues. Mendoj, se duhet gjetur aftësia politike për t’i lënë të lira të zhvillohen ekonomitë e shteteve të veçanta, por në çastin kur ekonomia nuk funksionon më, duhet ndërhyrë me vendosmëri. Organizmat ndërkombëtare – në veçanti Bashkimi Evropian – kanë një sërë kompetencash, të cilat kërkojnë mbledhje pas mbledhjesh për t’u zbatuar. Burokratët janë të nevojshëm, por puna e tyre konkrete duhet të jetë e dukshme. Në Bruksel, ka një ushtri me funksionarë, por në Greqi, në Portugali e për disa ditë, edhe në Itali, kjo ushtri nuk arriti të rreshtohej në mbrojtje të qytetarëve. Atëherë, me të drejtë, njerëzit pyesin se ç’duhen gjithë këto organizma, kur nuk janë në gjendje të ndërhyjnë aty ku është vërtet e nevojshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.