2011-07-18 11:40:49

Don Alfons Tracki, në 65 përvjetorin e ekzekutimit


Përkujtojmë sot 65 vjetorin e vrasjes së don Alfons Tracki, meshtar martir.
Lindi më 2 dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischwitz/ Bliszezyce (Wroclaw) me prejardhje polake.
Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër (Shqipëri) si misionar.
Ishte shumë i zellshëm në ushtrimin e veprimtarisë së tij meshtarake dhe shumë i ndjeshëm kundrejt problemeve shoqërore, gjithmonë me një shpirt të krishterë.
Organizoi grupin “Viribus Unitis”, duke mbledhur kështu shumë të rinj. Hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç.
Luftoi me ngulm traditat e këqija siç është prirja për t’u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjithmonë ofronte një zgjidhje të krishterë për këto probleme.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste.
Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend.
Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistët, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë.
Gjatë gjyqit, sipas Atë Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”. U pushkatua më 18 korrik 1946.
Më 7 nëntor 2002, një ditë para se të nisej për në Shqipëri, ku shpalli emrat e 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare, kandidatë për të cilët nisi procesi kanonik për nderimet e elterit, Prefekti i asokohshëm i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, foli mbi domethënien fetare e shoqërore të atij udhëtimi. Në pyetjen: Në listën e martirëve, propozuar nga ipeshkvijtë, nuk shënohen vetëm emra martirësh shqiptarë, por edhe italianë e gjermanë, si Atë Giovanni Fausti, Dom Alfons Tracki e të tjerë, që dhanë dëshminë e gjakut për Krishtin e për Kishën e tij në Shqipëri. Na duket se kështu krijohet një ikonë e vërtetë misionare….
Kardinali Sepe në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit mes tjerash tha:
"Misionarët kanë pasur e kanë meritë të madhe që në fillim, sepse këta vëllezër e motra tona, lanë gjithçka, për të ndihmuar në rindërtimin shpirtëror, shoqëror e material, rindërtim që vijon, sepse martirët nuk i pengojnë kufijtë e atdheut, as të kulturës, as të ngjyrës së lëkurës. Është i njëjti gjak, i kuq, që vijon të derdhet në botë - ai që u derdh në trojet shqiptare, duke i hapur udhën misionarëve të tjerë, të cilët bëjnë çmos ta ndihmojnë popullin shqiptar në rilindjen e tij të vështirë.
E duhet ta kemi mirë parasysh se për ta kumtuar Ungjillin e Krishtit, ashtu si edhe për të dhënë ndihmesën në të gjitha fushat e mundshme, duhet hyrë në mendësinë, në jetën konkrete shoqërore-kulturore e fetare. Natyrisht sot për sot prania e misionarëve është shumë aktuale, plot gjallëri, por besojmë se nesër do të jetë Shqipëria ajo që do t'i japë shumë misionarë mbarë kishës; njerëz që e kanë ruajtur fenë në rrethana shumë të vështira, siç ishin ato të salvimit fetar, jo më shumë se dhjetë vjet më parë. E pastaj kemi të bëjmë me traditën tipike të vendeve ballkanike, që bëhet shembull për të tjerët, sepse ai që del nga katakombet, del më i përforcuar në fe, më i fuqishëm. Prandaj kjo dëshmi e besimit fetar, e përshpirtërisë dhe e jetës së krishterë shqiptare mund t'u sjellë, pa dyshim, shumë dobi edhe kombeve të tjera".







All the contents on this site are copyrighted ©.