2011-07-17 09:54:47

Shenjtorët e Javës


E diel 17 korrik, Kisha kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar e po më 17 korrik kalendari kishtar përkujton edhe shën Marçelinën, virgjër, motër e shën Ambrozit, ipeshkëv; shën Aleksin e shën Leonin IV, papë. Liturgjia na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.
Të hënën më 18 korrik kalendari do të përkujtojë shën Emilianin martir; shën Brunon e Senjit, ipeshkëv dhe shën Federiku. Liturgjia na kujton se mënyra si sillet Jezusi, e bën t’i ngjasë gjithnjë më shumë shërbëtorit të Hyjit, kumtuar nga Izaia profet: me butësinë e tij i ndihmon njerëzit në mjerimet e tyre fizike e shpirtërore, në sa tashmë kanë nisur të komplotojnë kundër tij.
Të martën më 19 korrik kalrendari shënon përkujtimin e shën Simakut, papë. Litugjia na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.
Të mërkurën më 20 korrik kalendari kishtar do të përkujtojë festën e shën Apolinarit, ipeshkëv i Ravenës e martir, të shën Elisë profet e të shën Aurelit të Kartagjenës, që e kaluan jetën duke besuar Zotin, në të cilin gjetën lirinë e plotë të shpirtit. Shën Elia është pajtor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë Shkodrës, dhe në Krythë afër Ulqinit, që të premtën do të jenë në festë.
Të enjten më 21 korrik do të përkujtohen shën Lorenci nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedia romake e shën Ezekieli profet. Liturgjia na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka
Të premten më 22 korrik kalendar përkujton shën Maria Madalenë. Liturgjia na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë tonë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.
Të shtunën që vjen më 23 korrik bie përkujtimi i së shën Brigjidës, rregulltare, Pajtore e Evropës. Liturgjia na kujton se Jezusi u fton të gjithë të krishterëve të cilët duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë për njerëzimin.
Të dielën e ardhshme më 24 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit, e gjithnjë më 24 korrik kalendari do të përkujtojë edhe shën Sharbel Maklufin, meshtar dhe shën Kristinën, virgjër e martire. Me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.