Shqipëri: Gjykata jep vendimin, Basha kryetar Bashkie në Tiranë
Në Shqipëri Kolegji Zgjedhor përmbylli procesin e zgjedhjeve në Tiranë me ndarjen
e mandateve të këshillit bashkiak, ku u shpall fitues Lulzim Basha, ndërsa tani mbeten
vetëm disa procedura burokratike që Basha të nisë punën në krye të këtij institucioni.Basha,
i shpallur si fitues i zgjedhjeve lokale të 8 majit depozitoi dy ditë më parë kërkesën
për njohjen e vendimit që e përcakton atë si kreun e ri të bashkisë së kryeqytetit. Sot
Gjykata e Tiranës vendosi të miratojë kërkesën e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës,
Lulzim Basha, për vërtetimin e mandatit për Kryetar Bashkie të kryeqytetit. Kështu
deklaroi sot paradite, gjykatësja Elbana Lluri. Sipas procedurës që parashikon ligji
në Shqipëri për pushtetin lokal, kreu i Bashkisë më të madhe në vend, pajiset me një
vërtetim të tillë, që tregon se procesi i ankimimit në Kolegjin Zgjedhor të gjykatës
së Apelit ka përfunduar dhe ai mund të nisë detyrën, me konstituimin edhe të këshillit
të ri bashkiak. Avokatët e Bashës, që depozituan dy dite më parë kërkesën në gjykatëe,
i janë referuar Ligjit “për organizimin e funksionimin e pushtetit vendor”, në të
cilin saktësohet se mandati i kryetarit të Bashkisë apo komunës vërtetohet nga Gjykata.
“Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga Gjykata, në juridiksionin
e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes
së rezultatit të zgjedhjes së tij”, thuhet në pikën e parë të nenit 40 të këtij ligji.
Së bashku me padinë, përfaqësuesit e Bashës kanë dorëzuar në Gjykatë edhe vendimin
e fundit të Kolegjit Zgjedhor, vendimin e KQZ-së që shpall kandidatin demokrat fitues
me 93 vota më shumë si dhe tabelat për secilën KZAZ të Tiranës me rezultatin përfundimtar
për të gjitha qendrat e votimit.