2011-07-15 15:36:55

Një ekspozitë kushtuar jetës së përtejme, mister i fundmë.


“Jeta e përtejme. Misteri i fundmë”: i kushtohet një teme, asaj të jetës përtej vdekjes, që e ka shqetësuar gjithnjë njeriun, ekspozita e hapur në Ilegjio, qytezë e vogël malore, në provincën italiane të Udines. Mund të admirohen rreth 60 vepra, ndërmjet të cilave, edhe shumë kryevepra: piktura në dërrasë, në pëlhurë, skulptura, elterë e vepra të artizanatit artistik, papire egjiptiane, gurë varresh parakristiane e vazo etruske, për të përshkuar një udhë të gjatë, nga mijëvjeçari i parë para Krishtit, deri në shekullin XX, hap për hap me të vdekurit, të cilët u nisën për botën tjetër me të njëjtën frikë e me të njëjtat shpresa, deri në shpresën e madhe, që solli Ungjilli, deri në lajmin më të madh, që kishte shpresuar ndonjë herë njerëzimi: atë të Ngjalljes së Krishtit e ringjalljes së njeriut. Biseduam me don Alesio Gereti-n, drejtor i ekspozitës, organizuar nga Komiteti i Shën Florianit:

Përgjigje: - Tema kryesore të tërheq fort: jemi para një misteri, për të cilin mendja e njeriut s’ka pushuar së menduari e zemra së rrahuri, në rrjedhë shekujsh. Që kur nisi jetën njeriu i parë mbi tokë. Sepse, pas jetës, erdhi edhe vdekja, e me të, edhe varrosja. E varret nisën të stolisen me zbukurime, me fjalë, me simbole, që na zbulojnë mendimin e shpresën e njeriut të lashtë, se i vdekuri, që zhduket përgjithmonë nën dhe, nuk është thjeshtë lëndë. Lëndë që kalbet, bëhet hi e pluhur, pa lënë asnjë gjurmë. Duhet të jetë edhe diçka më shumë. Ekspozita e Ilegjios, përmes disa kapitujve, na kujton se të gjitha kulturat kanë pasur hamendje shumë të përafërta për atë që ndodh me njeriun pas vdekjes. Pa mohuar edhe ndryshimet e mëdha. Krishterimi, me fjalën e tij të qartë e përfundimtare, ngjalljen e Krishtit e dëftimin e tij, i jep fund dallgës së pafundme të pasigurisë, që e tronditi zemrën e njerëzve, të qytetërimeve, të popujve, në shekuj. E kjo, sepse nuk e kishin aspak të qartë ç’i priste, pas zbritjes në varr. Pikërisht këtë pasiguri e davarit drita e Krishtit të Ngjallur. Prandaj edhe ekspozita nis me ngjalljen e Krishtit e pastaj zhvillohet me vështrim retrospektiv, duke u kthyer prapa në kohë, për të kujtuar si e përfytyronin jetën e përtejme qytetërimet parakristiane.

Pyetje: - Ekspozita ka disa seksione, ndërmjet të cilave, edhe atë të artit bashkëkohor. Mund të na thoni diçka për këtë?

Përgjigje: - Ka pak dëshmi, por shumë domethënëse, që tregojnë se edhe në nëntëqindtën, kohë në të cilën filozofët kumtuan ‘vdekjen e Zotit’ e divorcin nga krishterimi, problemi i vdekjes mbeti i ngulur në mendjen e zemrën e njerëzve, ashtu si edhe kërkimi i rrugës për të dalë nga atmosfera e saj e errët, pa ardhmëri, me të cilën njeriu nuk do e nuk mund të pajtohet kurrë. Sepse është krijuar për amshim. Kemi në ekspozitë dy vizatime të mrekullueshme të Alfred Kubin, njëri nga mjeshtrat më të mëdhenj të pikturës së nëntëqindtës. Janë dy komente, realizuar menjëherë pas konfliktit të parë e të dytë botëror. I kujtojnë njerëzimit se vdekja u bie mbi kokë të gjithëve, nuk kursen asnjeri, sado i kënaqur, i pasur a i mbrojtur më të gjallë. Jeta e vdekja nuk mbrohen me shpata, e as me pushkë. Vjen dita, kur edhe më të çkujdesurit, do të japin llogari për çkujdesjen e tyre, ashtu si do të shpërblehen ata, që u kujdesën të dalin të pastruar para Gjyqit të Mbramë. Në këto dy vepra, vdjekja paraqitet e lodhur e e këputur nga luftërat, në fushat e të cilave korri e griu me kosën e vet, miliona njerëz. Pa pushuar asnjë çast. Një shekull të tërë! E ashtu e lodhur, kapet, për të shpëtuar, pas një shkëmbi, që bëhet pastaj, guri i varrit të saj e, duke soditur sfondin e një deti të skuqur nga gjaku e nga lotët, të lind vetvetiu mendimi: tani vdekja do të na përlajë të gjithëve! A nuk do të ishte më mirë të mos bashkëpunonim, në punën e saj të ndyrë? Është një pyetje, që i kërkon përgjigje vizitorit të ekspozitës e që jehon rishtas në pikturën e famshme të Xhino Severinit- një nga mjeshtrat e futurizmit italian, titulluar “Vallja makabre”, një kuadër gati-gati arlekinesk, sepse i realizuar me rombe shumëngjyrëshe, në lëvizje, që krijojnë atmosferë jete, gëzimi. Por në kundërdritë, dallohet mirë skeleti i mortjes, edhe ajo gjithnjë në lëvizje, kurrë pa punë. Të duket sikur thotë: po kënaqeni? Kënaquni, kënaquni! Qeshni e gëzojuni! Por problemi nuk është zgjidhur. Problemi do të zgjidhet vetëm kur të bini nën tehin e kosës sime. Kur të delni para gjyqit universal. Mos besoni se nuk ekziston!
Disa artistë të tjerë të nëntëqindtës, që mund të soditen në ekspozitë, kthehen tek motivet ungjillore, siç është rasti i Pjetër Anigonit, që pikturon ringjalljen e Lazrit, në një çast kur zija e vdekjes gërshetohet me gazin e jetës. Ndërsa piktori italian Françesko Mesina paraqitet në ekspozitë me një Zojë të Dhimbshme, që të prek thellë. Prej pëlhurës, Zoja u kujton të gjitha nënave, që humbasin fëmijët: “E di mirë ç’do të thotë të të vdesë biri”.

Pyetje: - Janë ekspozuar rreth 60 vepra. Prej nga vijnë?

Përgjigje: - Shumica vijnë nga anë të ndryshme të Italisë, ose nga Muzetë e Vatikanit, por edhe nga galeri të mirënjohura arti, si Galeria Ufici e Galeria e Akademisë së Venedikut. Të tjera, vijnë nga jashtë. Nga Madridi ose nga Muzeu i Vroclavit, në Poloni, nga Luvri, në Francë….

Pyetje: - Kjo është eskspozita e parë e kësaj natyre, që hapet në Ilegjio, vend i vogël malor, ku tani banojnë engjëjt, shenjtorët, por edhe vdekja me kosën legjendare mbi sup, gjithnjë në kërkim viktimash të reja, në sa në botë fushat e betejave, të vogla e të mëdha, nuk e lënë kurrë të uritur…

Përgjigje: - Para së gjithash, në këtë vend të vogël malor, me 350 banorë, vijnë çdo vit më se 35 mijë vizitorë, të pasionuar pas malit, e kjo të kujton se nuk janë vetëm metropolet qendra, ku mund të kënaqesh me artin. E pastaj, duhet thënë se njeriu i sotëm, vazhdimisht në shtegtim, ka nevojë, shumë nevojë, përmes ndikimit të fuqishëm të artit, të mendojë edhe për shtegtimin e mbramë, atë pa biletë, pa asnjë shpenzim të dukshëm, që e çon në një vend, ku nuk mund të shkojë i gjallë, të cilin, megjithatë, mund ta njohë para se ta nisë, përmes Shkrimit Shenjt, por edhe përmes veprave të artit. Që të mos niset i papërgatitur...







All the contents on this site are copyrighted ©.