Më 15 korrik kalendari përkujton Shën Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan
Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral
i Urdhrit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të
Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por
mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?
Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht
mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë.
Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse
njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës
së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike
si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh
në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.
Shën
Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa
dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”. U shpreh kështu
me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që
vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka
jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e
tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.
"Të krishterët të mësojnë nga
Shën Bonaventura" Shën Bonaventura, qe dishepull i denjë të Shën Françeskut,
reliket e tij ruhen në qytetin Banjorexho, ku ekziston edhe një Qendër Studimesh Bonaventuriane,
ndërsa personalitetin e këtij shenjti të madh mund ta përshkruajmë me tri cilësi kryesore,: Shën
Bonaventura ishte, në radhë të parë, një kërkues i palodhur i Zotit, që kur kryente
studimet në Paris, e vazhdoi të jetë deri në vdekje. Në shkrimet e tij tregon rrugën
që duhet përshkuar: “Meqë Zoti është lart – shkruan Bonaventuar – është e nevojshme
që mendja të lartohet deri te Ai me të gjitha forcat”… Shën Bonaventura qe edhe
këngëtar serafik i krijimit, që pas gjurmëve të Shën Françeskut, mësoi si “të lëvdojë
Zotin në të gjitha krijesat e përmes tyre”… Sa do të ishte e nevojshme, që edhe sot
të rizbulohej bukuria e vlera e universit të krijuar, në dritën e mirësisë e të bukurive
hyjnore!... Shën Bonaventura, së treti, ishte lajmëtar i shpresës… Kush shpreson
– pohon ai - “duhet të ngrejë kryet, duke i drejtuar lart mendimet, drejt lartësive
të qenies sonë, pra, drejt Zotit. Prandaj duket të mësojnë nga ky Doktor i madh
i Kishës për të thelluar dijen e rrënjosur në Krishtin. Ta bëjmë tonën trashëgiminë,
që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët:
“Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa
në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës..
do të hyjmë në galdimin e Hyjit. Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën
e festës së tij.