2011-07-14 15:24:48

Dom Simon Jubani: Torturat gjatë komunizmit


Pak ditë pas vdekjes së Dom Simon Jubanit, po e kujtojmë me një fragment nga vepra e tij ‘Burgjet e mia”, titulluar ‘Torturat”. Na sjell në mendje porosinë e Gjon Palit II gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, më 25 prill 1993: “Nuk duhet harruar! Nuk duhet harruar!”. Në se nuk duam që gjithçka të përsëritet...

Nuk e di në se e ka studiue kush historinë e torturave qysh se asht krijue njerëzimi. Sidokjoftë, duhet të jetë një histori tepër e pasun me modele, e sidomos me dhimba. E nuk e di as në e ka shkrue kush historinë e torturave në burgjet komuniste të Shqipnisë, si kontribut për historinë botënore të torturave, që mërrin deri atje, sa me kryqëzue vetë Zotin. Po mundohem me dhanë kontributin tem, tue përshkrue çka kam ndie e çka kam provue mbi shpinë.
Disa prej torturave të zakonshme, pa shumë fantazi ishin: sharrimi i duerve e i kambëve, natyrisht pa anestezi, frymja e trupit me pompë, varja për kambësh ose për krahësh në një pemë në mes të dimnit në murla, derisa paralizohej gjithë trupi. Kjo torturë zbatohej edhe ndër kampe, kur ndokush nuk e realizonte normën.
Mandej shtrëngimi i gjymtyrëve me hekura, që hyjshin thellë në mish, ndërsa gjaku rridhte pika pika e formoheshin plagë të randa, të cilat shumë shpejt ktheheshin në gangrenë. Vijshin mandej me radhë puna e randë fizike me orë të zgjatuna, izolimi ndër biruca frigorifere, rrahja deri në shtrim në spital…
Një prej torturave ma të tmerrshme ishte zhgulja e mustakëve me pinca. Jo aq për shkak të dhimbjes fizike, që s'ishte e paktë, sa të asaj morale, sepse - zhburrnimi ma i tmerrshëm. …
Kam njoftë ma se një shok mjerimi, që i kishte stjetullat të zgropueme, me kocat jashtë, për shkak se ia kishin djegë mishin me voe të sapo xjerruna prej ujit të vluem; ashtu edhe të tjerë, me shpinën bira-bira prej thumbave puntinë të ngulun gjatë hetuesisë ose prej cingareve të fikuna në mish të gjallë. Ma me fantazi ishte tortura e thesit: të burgosunin e futshin në një thes. E që të mos mërzitej vetëm, me të mbyllshin edhe dy tre daca. Si u bajshin të gjthë bashkë, thesit ia mbyllshin grykën. Atëherë fillonte dajaku, ku të kapte: herë mbi njeriun e herë mbi dacat të cilët, të tmerruem prej të rameve, ia shkyejshin njeriut trupin me thoj e me dhambë. Kishte raste kur hetuesinë ta bajshin mbrenda në arkivol, me kambë e duer të lidhuna e të mundojshin aq, sa rrezikoheshe mos me u çue ma prej andej. Kur torturtrat mërrijshin kulmin, të burgosunit ia zhgulshin një ka një dhambët, prej frike se han gjuhën e vet e s'mund të trillojë ma as krimet e veta e as të tjerëve… Shpesh njerëzit në hetuesi shndërroheshin në kandelabra të gjallë: ndër thojtë e tyne nguleshin kuja pishash, të cilët mandej ndezeshin e flaka ushqehej me mishin e djegun të gishtave. Mandej vinte tortura e pagjumësisë: domethanë me të lanë pa gjumë me javë të tana e, për me ta xjerrë gjumin, me të flakë në birucë me një gju ujë mbrendë. Mandej tortura e pikës së ujit: të lejshin kambë e duer lidhë ngri, ndërsa një curril uji ridhte ritmikisht, pa pra, pa u lodhë, mbi krye tand: tak, tak, tak, tak, tak… Ishte një tmerr i vërtetë, që të bante me harrue gjithçka e mos me u kujtue kush je, prej ka ke ardhë e ku don me shkue. Ky tmerr kishte një qëllim të vetëm: me i ba të burgosunit me marrë frymë me mushknitë e Enverit, me shikjue me sytë e tij, me ndigjue me veshët e tij, me folë me gojën e tij, tue i hupë të gjitha cilësitë vetjake që e dallojnë njeriun prej njeriu!...
Në fillim këto tortura zbatoheshin mbi trupin e të burgosunve ma të rrezikshëm e ma të panënshtruem. Mandej filluen me i ruejtë për shokët e vet, që përfunduen njëni mbas tjetrit ndër biruca, due të thom, për udhëheqësit e partisë, shokët e Enverit, si Kadri Hazbiu, Beqir Balluku e ndonjë tjetër komunist, që thohej se nuk u ishte bindë urdhnave të komitetit qëndror…
Në vende të tilla njeriu mund të shpëtonte vetëm në se kishte hirin e lutjes: përndryshej s'mund të bante tjetër, veçse të blasfemonte.
Nuk gëzohem për fundin e kurrkujt e as ma lejon feja, në të cilën besoj me gjithë shpirt. Por natyrisht që ndiej një keqardhje shumë ma të madhe për bashkëvëllazënt e miqtë e mi, sesa për ata të diktatorit, ndonëse lutem njëlloj për të dyja palët. Kujtoj se të njëjtin fat kanë pësue Sulçe Begu, i torturuem në mënyrën ma shtazarake, Dom Lazër Shantoja, që e zhgrranë drejt gropës me kambë e duer të sharrueme; Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni, të mbytun në një gropë nevojtorje, mbasi u kishin pompue zorrët me pompë makinash. E jo ma pak ata që i çojshin deri te gropa e hapun për t'i pushkatue, mandej i kthejshin përsëri në birucë, ku i ftojshin t'i vejshin gishtin kresë e të nënshkruejshin, tue pranue faje të trillueme. Ka njerëz që kanë shkue disa herë buzë vorrit e, si janë shkatërrue psikologjikisht, sepse të dekun e të ngjallun disa herë, në sa njeriu des një herë e s'ngjallet ma për këtë jetë, kanë ra në kurthë e kanë firmosë. E mbas suksesit që asht mërrijtë me firmat e këtyre të dekunve, hetuesi shpërblehej nga ministria e brëndshme, sepse kishte shpëtue regjimin nga rreziku i sigurtë i kundërrevolucionit!..
Uria i shtynte shpesh të burgosunit me hangër të vjellat e shokut të sëmutë, që s' i barte ma stomaku i shkatrruem kurrfarë ushqimi, madje, me hangër edhe vetë të dekunin.E mandej kur vijshin me marrë kufomën, vërejshin se i mungonte një dorë a një kambë. Shenjet tregojshin se ishte bre e besojshin se e kishin bre mijtë, që sielleshin me shumicë rreth nesh, tue na ba shoqni…
E jo ma pak ishte torturë, kur pushkatojshin njerëzit ma të çmueshëm të burgjeve e të kampeve, e na ishim të shtrënguem me kenë spektatorë. Si i pushkatojshin, përsëritshin shfaqjen që u luejt sa herë te zalli i Kirit: i vejshin kufomat e përgjakuna në trajtë rrethi, me qeleshe më njenë sy e cigare në dorë, si të dojshin me zgjidhë në kuvend problemet e mnershme që randojshin mbi ketë vend. E mandej skuadra e pushkatimit këndonte valle labe e korçare rreth tyne. Koncert ma të llahtarshëm besoj nuk ka pa kush në botë!...
Në mozaikun e torturave që komunizmi ka ushtrue mbi mish të gjallë e mbi nerva, sigurisht nuk mund të mos jem i pranishëm edhe unë. Sa herë kalojshe në hetuesi, hetuesi epte urdhën të m'i shtrëngojshin hekurat, derisa më hyjshin thellë në mish. Pik-pik, gjaku skuqte hekurat e pikonte në dysheme. Atëherë hetuesi epte urdhnin e dytë, të m'i tundshin duert, tashma mish i gjallë, që dhimbja të bahej sa ma e padurueshme. E kur më binte të fikët, ai, samaritani i mirë, përkulej mbi mue e m'i mjekonte plagët me duhan. Mandej, sapo hapshe sytë, ia niste rishtas shtjelmave. Si i lodheshin kambët, merrte dajakun. Mandej më lidhte, më rrëxonte për tokë e më hynte përsëri në shtjelma, tue më dhanë goditje mbi trup, aty ku i kapte kamba. Qyqari. Kur kthehej në shtëpi, sigurisht ankohej se ishte lodhë e këputë tue punue për ndërtimin e socializmit në Shqipni. Sepse, si lodhej e këputej, ulej në karrikën e zyrës e më pyeste egërsisht: "Do ta tregosh apo jo aktivitetin tënd armiqësor, do t'i tregosh apo jo bashkëpunëtorët!". I përgjegjesha: "Posi jo, po t'i tregoj menjëherë: kam bashkëpunue me Mojzehin, me Elinë profetë, me Izainë, me Ezekielin, mandej me Krishtin... ". "Ç' thua, ore, - çakariste sytë tjetri, e fëtyra i mbushej me shpresë se ma në fund e kishte zbulue gjithë rrjetin e spijunazhit. - Cilin Kristo, si e ka mbiemrin, ku banon?". "Banon në Ungjill" - i përgjigjesha, me humorin e njeriut, që i ka gjysën e kocave të thyem, por që mbështetet në një forcë, të cilën hetuesi nuk mund ta kuptonte kurrsesi, ashtu si nuk i kuptonte as emnat e atyne, që ishin me të vërtetë bashëpunëtorët e mi ma të afërt, prej të cilëve e pritshe pështimin, në atë zezonë që më kishte ra mbi krye…

Dom Simon Jubani, Burgjet e Mia; Biblioteka Shkodra, 2, Shkodër 2001, Dalë nga Tipografia U. Detti, Romë, 2001, fq. 69-80







All the contents on this site are copyrighted ©.