2011-07-13 17:00:45

Dom Simon Jubani, prifti i qëndresës antikomuniste e dëshmitari i kalvarit të shqiptarëve


Në Shkodër pranë ambienteve të Kishës Katedrale në Shkodër (tek Salla Kard. Koliqi) vazhdojnë nderimet e fundit të besimtarëve katolikë e qytetarëve në nder të dom Simon Jubanit, që ndërroi jetë dje në moshën 84 vjeçare. Dom Simon Jubani qe dëshmitar i martirizimit të kishës, i përndjekjeve të tmerrshme të klerit, të besimtarëve e të qytetarëve shqiptarë nga diktatura ateiste e komunizmit. Mesha për shpirtin e tij do të kremtohet nesër, e enjte 14 korrik 2011 në orën 10:00 në Kishën Katedrale të Shkodrës. Pas Meshës përcjellja e tij për në varrezat e Rrmajit Shkodër, të cilat vet i pat bekuar më 1990 pas shkeljes 50 vjeçare të të pafeve.
Figurë poliedrike, dom Simoni qe i zgjuar, i qëndrueshëm, vëzhgues i vëmendshëm i realitetit shqiptare: atij kishtar, shoqëror, kulturor e politik. Me temperament të zjarrtë, qe përherë i gatshëm për këdo, hokatar, por edhe mbrojtës i patrembur i të vërtetave të fesë dhe i vlerave ungjillore e atyre kombëtare. Mbylli sytë duke besuar thellësisht se vetëm tek Zoti do të ketë drejtësi e shpërblim. ·
Dom Simon Jubani lindi në Shkodër, me 8 mars 1927 nga prindërit Zef e Çile që kishin një familje katolike të devotshme dhe i falen Kishës e Atdheut dy meshtar: një martir intelektual, dom Lazër Jubani, helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982, dhe të guximshmin dom Simon Jubanin. Në moshën 16-vjeçare, i thirrur prej Zotit, hyri në Shkollën Apostolike (Kolegjin Saverian) në Shkodër për t'u bë rregulltar jezuit. Në mars të vitit 1946, kur u shkatërruan të gjitha shkollat katolike tradicionale, i'u deshtë të hynte në Gjimnazin e Shtetit. Në vijim u transferua në Tiranë, ku kryen një kurs radiografie. Punon për pak kohë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Kthehet rishtas në Shkodër dhe ndërkohë punon në radiologjinë e Sanatoriumit të Shkodrës, ndërsa aktivizohej në sport: atletiken e lehtë dhe futbollin. Angazhohet në ekipin e Vllaznisë. Më 4 maj 1958 shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbej në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitin 1963 dhe vuan 26 vite burg. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë katilëve e spiunëve komunistë të burgut të Burrelit, u lirua më 13 prill 1989 bashke me klerikë të tjerë. Dom Simon Jubani është pikërisht ai meshtar që më 4 e 11 nëntor 1990 kremtoi Meshën e parë publike tek Varrezat e Rrmalit në Shkodër duke u bërë nismëtari i rihapjes së Kishës dhe Tempujve të Zotit në Shqipëri. Për këtë kontribut të çmueshëm mbarëkombëtar, që Zoti ia besoi, Universiteti amerikan i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi diplomën "Doctor Honoris Causa" në shkenca humane me motivacionin: "Protagonist i një epoke të re në Shqipni". Pas komunizmit për disa vite shërben përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfystores së Katedrales së Shkodrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.