2011-07-13 17:39:23

Benedikti XVI dhe Shenjtoret e Mesjetës, gjeni femërore, në shërbim të Kishës e të njerëzimit.


Muajt e fundit, gjatë audiencave të përgjithshme, Benedikti XVI i kushtoi një cikël të tërë katekizmi, jetës dhe veprave të disa shenjtoreve të mëdha të Mesjetës. Nga shtatori i vitit të kaluar, deri në janarin e vitit në vijim, Papa realizoi një galeri të vërtetë portretesh, kushtuar disa prej femrave gjeniale, që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e krishterimit, në Evropë e në Botë.

Gjon Pali II pati vënë, plot mirënjohje e admirim, theksin mbi kontributin e shkëlqyer të grave në Kishë, duke u kushtuar, më 1988 “Mulieris dignitatem”. Benedikti XVI e vijon këtë rrugë, me pikturimin e figurave të veçanta, duke krijuar, kështu, një enciklopedi të vërtetë, që përfshin jetët e shenjtoreve më të njohura të Kishës Katolike. Sot ne po ndalemi tek Shenjtoret e mëdha të kohëve të vjetra, për të dëshmuar, me Papën Vojtila, se në të gjitha epokat, gjenia femërore ka qenë gur themeli në ndërtesën shpirtërore të Kishës. Duke e filluar në shtator 2010 ciklin e katekizmit kushtuar Shenjtoreve mesjetare, Benedikti XVI citonte një fragment nga “Mulieris dignitatem”:
Kisha – lexojmë në të – falënderon Zotin për të gjitha shfaqjet e gjenisë femërore në rrjedhë të historisë, në gjirin e popujve e të kombeve; e falënderon për të gjitha karizmat, që Shpirti Shenjt ndikon mbi gratë në historinë e popullit të Zotit; për të gjitha fitoret, që arriti falë fesë, shpresës, dashurisë së tyre të krishterë; për të gjitha frytet e shenjtërisë femërore. Edhe në ato shekuj të historisë, që ne i quajmë Mesjetë, shumë figura femërore spikasin për shenjtërinë e jetës e pasurinë e mësimeve të tyre”(Audienca e përgjithshme, 1 shtator 2010).
Kështu Papa shndërrohet në një rrëfimtar, që nis të tregojë disa histori tejet interesante. Flet për figura të mirënjohura, por edhe pak të njohura, që ndezin drita bamirësie e urtie në vitet e ashtuquajtura “të errëta” të historisë evropiane, pas vitit 1000. Për muaj e muaj, përmes fjalëve të Papës, para syve të Kishës bashkëkohore, u riduken gratë, që e lartuan ngrehinën, mbi themelet e bashkësive të para të krishtera, një mijë vjet më parë. Nga murga poliedrike benediktine, Hildegarda e Bingenit, femër gjeniale, me aftësi të rralla në të gjitha fushat e kulturës e të artit: shkrimtare e shquar, muzikante e kozmologe, tek vajza zemër-zjarrtë, Zhana d’Ark, mike e së vërtetës së Ungjillit e, prej këndej, armike e të gjithë atyre, që i kundërvihen Lajmit të mirë të Zotit të kryqëzuar e të ngjallur.
Mirësia, guximi e pastërtia e jashtëzakonshme: këto ishin cilësitë kryesore të karakterit të fshatares së thjeshtë franceze që, në vitin 1431, u shndërrua nga Zoti në luftëtare të pathyeshme të lirisë e në shenjtore. Benedikti XVI e krahason me Shën Katerinën e Sienës, pajtore e Italisë dhe e Evropës. Dy gra, të dala nga gjiri i popullit; dy laike; dy vasha, që kishin bërë kushtin e virgjërisë, dy mistike, të impenjuara jashtë kiostrit, në mes të realiteteve më dramatike të Kishës e të botës të kohës së tyre. Dy gra, të cilat u ngjasin fort grave të shenjta, që ndenjën mbi Kalvar, kur Jezusi gozhdohej e vdiste mbi kryq, ndërsa apostujt kishin ikur të tmerruar. Gra të forta, të cilat aty nga fundi i Mesjetës, përhapën pa frikë dritën e madhe të Ungjillit në ngjarjet e ndërlikuara të historisë. Jemi në vitet e çarjes së madhe, kur Kisha e Perëndimit shkëputej nga Kisha e Lindjes, ndërsa Evropa tronditej vazhdimisht nga konflikte të rënda, të pafundme. Mjafton të kujtojmë se Franca e Anglia kishin njëqind vjet që nuk e pushonin atë luftë, e cila mbeti në histori me emrin “Lufta njëqindvjeçare”. Zhana, pa i mbushur mirë të shtatëmbëdhjetë vjetët, hyri në arenën politike, duke ndërmjetësuar, pa sukses, për arritjen e paqes së drejtë ndërmjet dy popujve të krishterë, të kacafytur për jetë a vdekje. Atëherë rroku armët e u priu luftëtarëve në betejën për çlirimin e Orleanit. Në kulmin e betejës, u kap nga armiqtë. U burgos, u gjykua nga gjykatës kishtarë, u dënua si heretike e u dogj e gjallë mbi turrën e druve. E megjithatë...:

... Shën Zhanë D’Ark na fton për ta jetuar thellësisht jetën e krishterë, për ta bërë lutjen fill përcjellës të ditëve tona; për të pasur besim të plotë në vullnetin e Zotit, sido që të jetë; për ta jetuar dashurinë e krishterë, pa pritur asnjë shpërblim, pa i vënë caqe, e duke e shoqëruar dashurinë për Jezusin, ashtu si ajo, me një dashuri të thellë për Kishën”(Audienca e përgjithshme, 26 janar 2011).
Ndërmjet portreteve të mistikeve e të grave aktive, pikënisja e të cilave është dashuria për Krishtin, e pikarritja, dashuria për njerëzimin, që duhet të ecë në rrugën ku prin Jezusi, është edhe Shën Kiara e Asizit. Ja si e përshkuan Papa Shenjtoren, që mbeti në historinë e Kishës si shembull i kristianizmit, i lutjes, i kundrimit:
“Kjara, në të vërtetë, fshihej; e megjithatë, jetën e saj e panë të gjithë. Kjara heshtëte, por fama e saj fliste me zë shumë të lartë. Të tillë janë shenjtorët, që e shndërrojnë botën, i prijnë në rrugën e mirë, duke shkrirë të gjitha energjitë, të cilat vetëm dashuria e frymëzuar nga Ungjilli mund të ngjallë në zemrën e njeriut. Shenjtorët janë bamirës të mëdhenj të njerëzimit”(Audienca e përgjithshme, 15 shtator 2010).
Një figurë tjetër e madhe, në enciklopedinë e Papës, është Shenjtorja Mbretëreshë, që doli nga muret e kiostrit e ato të kështjellës: Shën Elizabeta e Hungarisë. Së bashku me fatin e saj, Ludovikun, sundimtar i Turingjisë, Elizabeta dëshmoi vlerat e krishtera, si në jetën e oborrit mbretëror, ashtu edhe në drejtimin e mbretërisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme të varfërve.
Mbretëresha e vuri kurorën, simbolin e pushtetit mbretëror, tek këmbët e Kryqit, ku u kryqëzua Krishti, Mbreti i kurorëzuar me gjemba, duke kaluar shumë kohë e gjunjëzuar përdhe. Deri në këtë pikë arriti përvujtëria e Elizabetës së Hungarisë, mbretëreshës së Turingjisë, feja e së cilës e shkandullonte oborrin mbretëror. Duke përshkruar shkurtimisht çastet kryesore të jetës së sundimtares mesjetare e duke vënë, sidomos, në dukje, lirinë e madhe të ndërgjegjes me të cilën i jetonte bindjet e saj fetare, pa marrë fare parasysh se i kundërviheshin normave që ia impononte protokolli e rangu, Benedikti XVI nënvizoi: “Ashtu si sillej para Zotit, sillej edhe para nënshtetasve. Nuk kishte dy mënyra sjelljeje: një në Kishë e një tjetër, mbi fronin e mbretëreshës. Ajo ishte e krishterë, si kur gjunjëzohej përdhe, para të Kryqëzuarit, ashtu edhe kur lartohej mbi fron, përballë oborrtarëve”:
“Elizabeta e ndihmonte bashkëshortin t’i lartonte cilësitë e veta njerëzore, në sfera të mbinatyrshme, e ai ia kthente duke e mbrojtur në veprimtarinë e saj bujare për të varfërit e në praktikimin e fesë. Gjithnjë më i pushtuar nga admirimi për fenë e jashtëzakonshme të shoqes së jetës, një ditë Ludoviku, duke vërejtur kujdesin e mbretëreshës për të varfërit, i tha: “E dashur Elizabetë, është Krishti ai që lave, që ushqeve, që deshe”. Dëshmi e qartë kjo, për të treguar sesi feja e dashuria për Zotin e për të afërmin e forcojnë jetën familjare, duke e thelluar edhe më shumë bashkimin martesor” (Audienca e përgjithshme, 20 tetor 2010).
Mesjeta nuk është vetëm epokë historike, që perëndoi. Mesjeta është edhe sot mes nesh, me dyndjen e errësirës, që e trondit keqas shpirtin njerëzor. Të gjithë ne, nënvizon Papa në një nga katekizmat e këtij cikli, jemi në rrezik të jetojmë sikur Zoti të mos ekzistonte, e prej këndej, shpesh kemi si shokë udhe, pesimizmin e mosbesimin. Por shenjtorët janë gjithnjë optimistë; e kanë shumë arsye për të qenë të tillë. Duke folur, dhjetorin e kaluar, për mistiken britanike Gjuliana e Norviçit, Papa nënvizoi: “Optimizmi në jetë lind nga siguria se Zoti na do”. Duke jetuar si vetmitare, e mbyllur në qeli, mistikja fitoi një ndjeshmëri të hollë njerëzore e fetare. E kështu – vërejti Papa – u ndodh edhe sot burrave e grave, që tërhiqen në vetmi, për të jetuar në shoqëri me Hyjin. E pikërisht falë kësaj vetmie, fitojnë ndjenjën e thellë të mëshirës për fajet e ligështitë e të tjerëve. Prej këndej buron optimizmi i mistikes së vjetër, që mbetet përsosurisht moderne, pikërisht për sigurinë e saj, të cilën ua ofron edhe besimtarëve të sotëm:
“Premtimet e Zotit janë gjithnjë shumë më të mëdha se shpresat tona. Në se i lëmë në dorë të Zotit, duke ia besuar mëshirës së tij të pambaruar dëshirat më të pastra e më të thella të zemrës sonë, nuk do të mbetemi kurrë të zhgënjyer. Gjithçka do të jetë e mirë! Do të jetë për të mirë! Do të përfundojë mirë. E ky është edhe mesazhi kryesor, që na përcjell Gjuliana e Norviçit e që edhe unë jua propozoj sot”(Audienca e përgjithshme , 1 dhjetor 2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.