2011-07-12 19:56:43

Çoni koken nalt, ju selvija të rrëmajit..kushtue dom Simon Jubanit


Erdhi...Qé ku asht. Erdhi Don Simoni... Shihe aty në mes djelmëve të rijë ... Erdhi... E ma shumë se 50 mijë... Shqiptarë, Katolikë, Muslimanë, Ortodoksë, fshatarë e malësorë, të huej të trupave diplomatike, gazetarë, studenta nga Universiteti i Tiranës, miqë nga Kavaja, Tirana e Durrësi e nga të katër anët e vendit çohen në maje të gishtave me pa Don Simon Jubanin e rrethuem nga Rinia Shkodrane... Nuk mungojnë as ushtarët e forcat e armatosuna të sambistëve apo spijunët e Ramiz Alisë ndër vagona nën çinarët në Zallin e Kirit...që edhe ata presin vetëm “urdhën”... por që nuk do të “arrijë” kurrëma!
Erdhi si Burrat, në mes t’atyne selvijave që për një gjysë shekulli kanë ulë kryet dhe nuk u ndihej zani...Janë dishmitaret e vetme që flasin, u merret zani e ashtu të lodhuna e të molisuna nga krismat e automatikëve e të armëve “trofe” të komunistëve, tregojnë me qendrimin e tyne kryeulun dhimbjen e madhe për Ata Heroj kryenaltë, që pa pikë frike, ranë në Zallin përbrijë tue thirrë: “Rrënoftë Shqipnia e Lirë e Demokratike!”
Aty janë po edhe dy çinarë që nën degët e Tyne ruejnë “Monumentin e Madh” të viktimave të Gjenocidit komunist të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Koçi Xoxes, Mehmet Shehut, Haxhi Lleshit, Kadri Hazbiut, Zoji Thëmelit, Hilmi Seitit, Aranit Çelës, Feqorr Shehut, Çapajev Taçit e të sa terroristëve...që edhe për së vdekuni kanë dhunue Shkodrën dhe rrethinat e saj, deri në Maje të Hakurave e pertej Kelmendit. Ju nuk e shihni Ate, po Ai nuk kalbet edhe pse Dheu e ka mbulue që në Marsin e vitit 1945, kur Prek Cali e Don Ndre Zadeja, si vëllazen të lidhun në zixhirë e dryj, me vargun e pafund të Atdhetarëve n’ Atë Zall Kiri, thirrën “Rrënoftë Shqipnia!”...E Gjaku i Tyne vazhdoi me vlue...
Aty asht edhe një Kapelë e vogel e Atyne Vorrezave, që edhe Ajo i qendroi atij rrebeshi të pashoq të diktaturës komuniste e nuk mujti me e shembë ashtu si Don Simon Jubanin, as përbindshi i mnershem i vitit 1967, “Revolucioni Kultural” i Ramiz Alia, që nuk la kompanjel as minare në qytetin Martir! E bashkë me Ta u fshinë Klerikët e veprat e Tyne letrare, kulturore e fetare...Por Kleri, edhe pse ishte i shfarosun gati plotësisht, kishte mbetë ndonjë “përfarë”, sa me i këndue atë ditë Nandori “shartet e fundit”: ISHTE DON SIMONI Ai që do të Ringjallte Shkodrën... Ai erdhi me pamjen e Një Heroi që pervujtnisht po pritej me një madhështi të pamendueme nga mbarë Shkodra.
Ishte dita e Diele e datës 11 Nandor 1990... Po afrohej edhe ora 11.00...
Ai Ju drejtue Asaj Kapele të Atyne Vorrezave, që Madhështia e Saj ngjante me ndonjë Katedrale shekullore...” M’u mbushën sytë me lot atëherë edhe sot...Sa afër ishim me Vëllaznit Muslimanë atëherë kur At Fishta pat lidhë përjetsisht kandilat e dritave nga kompanjeli i Kishës së Fretenve me Xhaminë e Fushës së Çelës, e flladi i Shkodres valvitte Flamurin Kombëtar, ndonse në 1990 nuk ishte asnjena, as Kisha e as Xhamija, vëllaznimi e miqësia mes nesh në Shkodër vazhdonin me kenë të pazgjidhuna! Ishim mbrenda Vorrezave ku fletët e selvijave e gjethet e çinarëve dukeshin sikur edhe ata nga gëzimi vazhdonin pandërpremje duertrokitjet... edhe zogjët ishin aq të gëzuem, sa edhe ata atë ditë nuk dukeshin se vazhdonin kangën e tyne të zakonshme. Përshndetje dhe shtërngime duersh...shterngime të forta e miqësore shoqnue me lot, me lot mallëngjimi...
Erdhi Don Simoni ..... Heshtje... U ndigjue zani i Tij i fortë:
“Vëllazën dhe Motra!
Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata Vëllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme.
Në vitin 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:
“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush!”
Unë, i padenjë për këte mision, po Ju them: Se fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!...
...Shkodra, qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit, e Teutës, e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të At Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”
Një “Ave Maria” u ngjit naltë në Qiell e kori i “Bijave të Zojës”, ...të plakuna dhe të rranueme nga vuejtjet e burgjet, mundi e shkatrrimi i fermave, vazhdoi me këndue kangën e “Zojës së Shkodres”...Kangë që Populli i Shkodres nuk e ka harrue kurrë!

21 vjet ma parë Don Simon Jubani ishte Ai Klerik Katolik Shqiptar, që edhe pse i vetëm, po i rrethuem dhe i mbrojtun nga Rinia dhe Populli i Shkodres, pa dallim Feje, sfidoi njëherë e përgjithmonë terroristët komunistë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, tue sjellë bashkë me Ringjalljen e Fesë edhe Demokracinë, Atë Demokraci për të cilën dhanë jetën mbi 45.000 Atdhetarë Shqiptarë...Vepra e Tij e 11 Nandorit 1990, Ate e bani të Pavdekshëm...Ashtu si Mija të tjerë pranë Atyne Vorreve historike...
Ai rron dhe do të rrojë në zemrat e kujtimet e të gjithë Atyne Shqiptarve që do të vazhdojnë me punue me gjithë fuqitë e Tyne për një Shqipni Europjane!
Don Simon Jubanit, sot në këte ditë kur Ai asht pranë Krijuesit të vet, nuk më mbetet tjeter veç me Një Lule që Ai na solli Lirinë dhe Demokracinë, me ua kerkue me ngulm Atyne Selvijave: “Kryet nalt! Kryet nalt, Ju selvija të Rrëmajit, edhe pse sot Një HERO asht nën hijen Tuej...Ruejeni fort se Ai ka shkrue në Historinë e Shqipnisë Emnin Tuej ... Atë Emen të Pavdekshem të Selvijave të Rrëmajit...në Shkoder!..”
Nga Fritz RADOVANI
Melbuorne, 12 Korrik 2011







All the contents on this site are copyrighted ©.