2011-07-12 12:03:19

Ndërroi jetë dom Simon Jubani, prifti që sfidoi regjimin ateist të komunizmit


Sot më 12 korrik 2011 në orët e para të mëngjesit, ndërroi jetë prifti shqiptar dom Simon Jubani. Mesha dhe varrimi do të jenë të enjten më 14 korrik në ora 10.00 në Kishën katedrale të shën Shtjefnit në Shkodër.
Prifti shkodran dom Simon Jubani, ndërgjegjja kritike e Kishës dhe e shoqërisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist gjatë këtyre viteve të demokracisë, njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve.

Kështu mund të pohojmë se kremtimi i Meshës së parë, që kur regjimi komunist e ndaloi lirinë fetare dhe mbylli Tempujt e Zotit në Shqipëri, kremtuar nga dom Simon Jubani më 4 nëntor 1990 në varreza të Rrmajit të Shkodrës, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste ateiste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë.

E data 4 nëntor 1990, që mbeti e paharruar në mendjen e zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, që nuk e kishin harruar Zotin, pas një gjysmë shekulli ateizmi shtetëror. Një grup i vogël besimtarësh, në sa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në elterin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë.

Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave dhe i Xhamive në Shqipëri kur regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që ndezi e i dha hov fitores së lirisë e rivendosjes së demokracinë në Shqipëri.

Po mbi figurën e priftit të jashtëzakonshëm shkodran dom Simon Jubani, të ndjekim shërbimin e Jolanda Babës nga Shkodra...........RealAudioMP3 .

Ja një fragment nga një ndër intervistat që kemi realizuar me dom Simon Jubanin, ta dëgjojmë dëshminë e tij në mikrofonin e radio vatikanit........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.