2011-07-12 11:40:38

Kujtojmë sot Atë Shtjefën Gjeçovin në përvjetorin e lindjes


Kujtojmë sot një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, françeskanin shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovin, i cili për kontributin e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Budi, imzot Bogdani, imzot Bumçi, Atë Fishta, Atë Harapi e tjerë.
Atë Shtjefen Gjeçovi françeskan i njohur, shkrimtar, atdhetar e arkeolog i la një kontribut jashtëzakonshëm kombit shqiptar mbi visaret ma të bukura e ma të lumnueshme, që populli shqiptar ruan tash sa shekuj, si trashëgimi e kohëve teje të lashta.
E sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Lindi 132 vjet më parë, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskane. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.
Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram!
Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".
Lista e veprave të tij është shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigj Paliqin, martir i fesë e i atdheut.
Po përfundojmë kujtimin e këtij martiri kombëtar, siç e thërriste edhe “Arbenia” më 21 tetor 1929 duke iu lutur, që ta thotë para Hyjit atë uratë të bukur (Agimi i Gjytetnìs, pjesa e III. 5), që shkroi për Shqipërinë, për atdheun e vet të dashur, që aq fort e deshi: “O i bukri i qiellës, qi e ké në kujdes mà të harrueshmin e qi pertrìn gjithskhkafen, me sy të pervjashem, të lutem, mos me m’a qitë në harresë atdhén t’èm e atdhetarët e mìj. Shtrije doren e fuqishme mbì ta, e në kjoftë se u kecenohet ndo’i hyll i pafat, theku në luta e në vaj t’onë, diku zot, e mos m’i lén m’u màrrun beper kambë..







All the contents on this site are copyrighted ©.