2011-07-11 13:24:30

Thirrja e Benediktit XVI për detarët, peng në duart e piratëve.


Pas lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, me rastin e të ashtuquajturës e “Diela e Detit”, me fjalë të tjera, Dita e apostullimit, kushtuar mjediseve detare, Papa kujtoi posaçërisht kapelanët dhe vullndetarët, të cilët ia kushtojnë jetën kujdesit baritor për detarët e peshkatarët, njerëz që e kalojnë një pjesë të mirë të jetës larg tokës, në mesin e detrave. Prej këndej, kapelanët u qëndrojnë pranë edhe familjeve të këtyre njerëzve, posaçërisht në rrethana të vështira, që në këtë mjedis, nuk mungojnë kurrë. Mund të kenë pamjen e stuhive natyrore, por edhe të piraterive njerëzore. E pikërisht për njerëzit e marrë peng nga piratët, u lut e bëri thirrje dje Benedikti XVI, duke kujtuar se edhe sot e kësaj dite, më se 800 detarë vijojnë të jenë pengje në duart e piratëve, fenomen që vijon në detrat e largëta, ku anije prej mbarë botës lundrojnë për veprimtari nga më të ndryshmet, duke kaluar pranë brigjeve, shpesh tepër armiqësore:
“Uroj që të trajtohen me respekt e humanizëm e lutem për familjarët e tyre, që të jenë të fortë në fe e të mos e humbasin shpresën se do të bashkohen shumë shpejt me të dashurit e tyre”.
Duke iu drejtuar, më pas, shtegtarëve të gjuhës franceze, Ati i Shenjtë i ftoi t’i kalisin energjitë në këtë kohë pushimesh, duke admiruar shkëlqimin e gjithësisë, vepër e Krijuesit:
"Parents, apprenez à vos enfants..."
Prindër, mësojini fëmijët ta sodisin natyrën, ta respektojnë e ta mbrojnë, si dhanti të mrekullueshme, që na bën të marrim me mend madhështinë e Krijuesit! Duke folur me shembëlltyrë, Jezusi përdori pikërisht gjuhën e natyrës, për t’u shpjeguar dishepujve të vet misteret e Mbretërisë. Figurat që përdor na bëhen familjare! Kujtojmë se realiteti hyjnor fshihet në jetën tonë të përditshme, ashtu si fshihet fara në tokë. Na takon ne ta bëjmë të japë fryte”.
Duke folur anglisht, i nxiti të gjithë veronjësit t’i shfrytëzojnë pushimet për t’u afruar edhe më shumë me Zotin, përmes lutjes së rregullt, pjesëmarrjes në Eukaristi dhe veprave të dashurisë së krishterë.
Koha e pushimeve, në të cilën shumë njerëz gjatë këtyre javëve, kërkojnë prehje – tha Papa në gjermanisht – është edhe ftesë që të fitohet më shumë vetëdije për Krijimin e Zotit:
“Die Erlösung, die uns in Jesus Christus geschenkt ist...
Shëlbimi që na u dhurua në Jezu Krishtin, domethënë përgjegjësi ndaj vëllezërve tanë e ndaj të gjitha sendeve, të krijuara nga Zoti. Ai dëshiron të çlirohemi nga lakmitë shkatërrimtare e nga lidhjet e rreme, të jetojmë si njerëz të rinj, si bijtë e bijat e Tij që, kështu, t’i sjellim botës paqen e Hyjit”.
Duke përshëndetur polakët, theksoi se Krishti, Mbjellësi i Fjalës mbi Mbretërinë e Hyjit i Ungjillit, na inkurajon të jemi tokë pjellore për farën, Fjalën, që mbillet në shpirtin tonë. E më pas uroi që kjo farë të japë fryte të begata, të mos e thajnë sendet e kësaj bote e as dëshira për t’u pasuruar, duke kujtuar edhe se pushimet e verës duhet të jenë kohë e përshtatshme për leximin e Shkrimit Shenjt.
Së fundi, në gjuhën italiane, falënderoi besimtarët për mikpritjen e përzemërt:
“Të gjithëve ju uroj të dielë e javë të gëzuar! Faleminderit për entuziazmin tuaj! Të dielë të gëzuar! Ju falënderoj!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.