Ati i Shenjtë Papa Racinger në katekizmin kushtuar Shën Benediktit më 9 prill 2008
mes tjerash tha: në se nuk i njeh rrënjët e veta të krishtera, Evropa nuk mund ta
zbulojë identitetin e saj. Shën Benedikti është “njeri i cili, me ‘Rregullën’ e tij
të famshme, solli një tharm shpirtëror, që i dha Evropës së kohës, një unitet të
ri shpirtëror e kulturor, të bazuar mbi fenë e krishterë, pohoi mes tjerash Papa
Racinger për Shën Benediktin nga Norçia. Edhe sot, si në kohët e Shën Benediktit Evropa
është në kërkim të identitetit. E ky identitet nuk mund të mos ngrihet mbi ato rrënjë
të lashta të krishtera, që jeta murgare benediktine i shtriu në të gjithë kontinentin.
Evropa e shekullit V, Evropa e shekullit XX. E para, si u shemb sistemi unifikues,
imponuar nga perandoria romake, kërkon të gjejë, me dhimbje, një identitet të ri.
E dyta, e shkretuar nga dy luftëra botërore dhe nga shembja e ideologjive totalitare,
përpiqet prej vitesh, jo pa dhimbje, të krijojë fizionominë e vet të përbashkët.
Këto dy fytyra të Evropës, historikisht larg njëra-tjetrës, kanë të përbashkët një
rrënjë, rrënjën e krishterë të cilën, më se 1500 vjet më parë, e ‘eksportoi’ nga kodra
e Montekasinos, në të gjithë Kontinentin e Vjetër, një vetmitar 50 vjeçar, që u bë
murg, pikërisht sepse kishte vendosur t’i jepte Evropës rrënjët e përbashkëta. E këto
rrënjë të lashta – pohoi Benedikti XVI – në ciklin e katekizmit kushtuar figurave
të mëdha të Kishës së shekujve të parë - janë njëkohësisht rrënjë moderne për Evropën
tonë e cila, pa limfën jetike të Hyjit, rrezikohet të bjerë në utopinë e vetëringjalljes:
“Sot Evropa, që sapo ka dalë nga një shekull thellësisht i plagosur nga dy luftëra
botërore e pas shembjes së ideologjive të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër,
veçse utopi tragjike, është në kërkim të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim
të ri e të qëndrueshëm, sigurisht kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e
juridike, por nuk duhet harruar edhe përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga
rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet”. E
pikërisht për këto rrënjë, që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur
Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI në vitin 1964 e tani edhe Pajtor i papnisë së Benediktit
XVI . Ati i Shenjtë Papa Racinger foli gjatë mbi figurën e Shën Benedikti, u
ndal tek jeta dhe misioni i themeluesit të Benediktinëve e tha: “Vepra e Shenjtit
e, në mënyrë të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror
i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut
të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake,
një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga
popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë”. Para
se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit
e të kulturës evropiane, Benedikti Abat ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen e
meditimin e Fjalës së Zotit. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të Montekasinos,
shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë
që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë,
pa mundim, egocentrik, që sot gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë – theksoi
Papa – Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin: “Pa lutje,
nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit.
Në kohën e tij të shqetë e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i
harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun, me nevojat e tij konkrete.
Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij”. E pikërisht
nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme të Shën Benediktit,
që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhjetë shekuj më parë,
por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot: “Benedikti e quan Rregullën
‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla
të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës
në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj
që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo
e ruajti forcën deri më sot”.