2011-07-11 16:38:50

Në festën e Shën Benediktit, Papa kujton: “Evropa mund të rindërtohet vetëm duke u nisur nga rrënjët e veta të krishtera”.


Sot Kisha kremtoi festën e Shën Benediktit, Pajtor i Evropës. Papa e kujtoi dje, në Engjëllin e Tënzot, duke i ftuar besimtarët të mësojnë nga murgu i madh, që e shpëtoi Evropën në kohë tejet të vështira, me moton, që s’e humbet kurrë vlerën: “Lutu e puno!”.

Që në audiencën e parë të përgjithshme, me të cilën fillonte shërbimin papnor, më 27 prill të viti 2005, Papa Racinger kujtoi thirrjen e Shën Benediktit, pajtor i papnisë së Tij, për të mos vënë asgjë mbi Krishtin, duke shpjeguar se emrin, që mban tashti, e zgjodhi i frymëzuar nga papnia e Benediktit XV, njeri i paqes, por edhe nga roli që ka luajtur Shenjti Pajtor i Evropës.
Gati njëmijë vjet më parë – shpjegoi Papa - një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinetit të Vjetër: Benedikti nga Norçia. Me urdhërin e tij murgar, Patriarku i monakizmit perëndimor, më pas bashkëpajtor i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë - Shën Benedikti është tepër i nderuar në Gjermani e posaçërisht në Bavari, në tokën ku kam lindur. Ai përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj.
Në Rregullën e tij të famshme, Shën Benedikti i këshillon murgjërit sivëllezër “Të mos i kundërvënë asgjë Krishtit” një imperativ, ky, që edhe Benedikti XVI pohoi se e ka bërë të vetin:
“Në fillim të shërbimit tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qëndërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona”.
Shenjtit të Norçies Papa i kushtoi, në mënyrë të veçantë, audiencën e përgjithshme të 9 prillit 2008, duke nënvizuar vlerën e veprës së tij, kryer në shekullin VI, në një periudhë, kur Evropa ishte e zhytur në krizë të thellë vlerash e institucionesh, pas shembjes së Perandorisë romake, dyndjes së popujve të rinj e zvetënimit të zakoneve:
Në të vërtetë, vepra e Shenjtit e, në mënyrë të posaçme, Regulla e tij, mbartnin një tharm të mirëfilltë shpirtëror, që ia ndryshoi krejtësisht faqen Evropës, shumë përtej kufijve të Atdheut e të kohës së tij, duke ngjallur një bashkim të ri shpirtëror e kulturor, pas shembejes së unitetit politik, krijuar nga Perandoria romake. Krijoi bashkimin e fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e Kontinentit. Pikërisht kështu lindi realiteti, që ne e quajmë Evropë”.
Një vepër vigane, lindur në heshtje. Pa i mbushur mirë të njëzetat, Benedikti i ndërpreu studimet në Romë, i pakënaqur nga stili i jetës së shumë shokëve të tij, që jetonin fare të çkujdesur. Iku, që të mos binte në të njëjtat gabime. Dëshironte t’i pëlqente vetëm Zotit. Prandaj u tërhoq mbi malet e Subiakos, ku jetoi për tre vjet me radhë fill i vetëm, në një shpellë. Periudhë vetmie të plotë, vetëm me Zotin, kohë, gjatë së cilës fitoi pjekurinë për të kapërcyer tre tundimet kryesore, që e rrezikojnë çdo njeri:”
“Tundimin e vetëdashjes e të dëshirës për ta vënë veten në qendër të botës; tundimin e mishit e të gjakut, e, së fundi, tundimin e inatit e të hakmarrjes. Ishte i bindur se, vetëm si të kishte fituar mbi këto tre tundime, do të mund t’u drejtonte të tjerëve një fjalë të dobishme për nevojat e tyre”.
Vetëm pas kësaj përvoje, nisi të ndërtonte manastiret e tija të para, në të cilat çdo veprimtari bazohej mbi moton “Ora et labora” – “Lutu e puno”: prej këndej, lutja vihet në themel të çdo veprimtarie tjetër njerëzore:
“Pa lutje nuk mund të takohesh me Zotin. Por përshpirtëria e Benediktit, nuk ishte jashtë realitetit. Në mes shqetësimeve e pështjellimeve të kohës së tij, ai jetonte nën vështrimin e Zotit; e pikërisht kështu nuk i harroi kurrë detyrat e jetës së përditshme e as njeriun me nevojat e tij konkrete. Duke parë Zotin, kuptoi edhe nevojat e njeriut e misionin e tij. Në rregull, nënvizon se lutja, në radhë të parë, është dëgjim i zërit të Zotit. E Zoti kërkon që ne t’i përgjigjemi ditë për ditë, me vepra, mësimeve të tij të shenjta”.
Jeta e murgut bëhet, kështu, një bashkëjetesë plot fryte e veprimtarisë dhe e kundrimit, me synim që në gjithçka të lumnohet Zoti.Vepra e Shën Benediktit farkëtoi qytetërimin dhe kulturën e Evropës që - pohon Papa - pas utopive tragjike të shekullit XX, është përsëri në kërkim të identitetit:“Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, kanë rëndësi, natyrisht, mjetet politike, ekonomike e juridike, por, mbi të gjitha, ka rëndësi përtëritja etike e shpirtërore, që merr jetë nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, përndryshe nuk mund të rindërtohet Evropa. Pa këtë limfë jetike, njeriu rrezikohet të bjerë pre e tundimit të lashtë, që e nxit ta shikojë veten si zot i fateve të veta, utopi e cila, në mënyra të ndryshme, në Evropën e Nëntëqindës, siç ka theksuar edhe Gjon Pali II, shkaktoi një regres të pashembullt në historinë, gjithnjë të trazuar, të njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.