Familjarët e detarëve peng në duart e piratëve, takohen me Papën, që i siguron për
lutjet dhe kujdesin.
(11.07.2011 RV)Nëpërfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti
XVI u takua me një përfaqësi ndërkombëtare të familjeve të detarëve, marrë peng nga
piratët. Ishte një takim i shkurtër, që zgjati vetëm dhjetë minuta, por tejet prekës.
Gjatë tij, Papa u shprehu familjarëve afërsinë e vet. Don Xhakomo Martino, drejtor
i Apostullimit të njerëzve të detit në Fondacionin Migrantes, pranë Konferencës ipeshkvnore
italiane, i pranishëm në takim, theksoi - në mikrofonin tonë - se Papa i mbushi me
shpresë familjarët, që u prekën thellë nga afërsia Atit të Shenjtë e nga premtimi
i kujtimit në lutje, me bindjen se lutja arrin te froni i Hyjit, për t’i prekur, pastaj,
edhe zemrat më të ngurta njerëzore. Ishte një takim - shpjegoi meshtari – zemër
për zemër me zemrën e Kishës, përmes Atit të Shenjtë. Një Kishe, që tregoi edhe një
herë universalitetin e saj, afërsinë e saj ndaj problemeve e vuajtjeve të njerëzimit.
Familjarët e pengjeve – përfundoi don Martino - e dinë se Benedikti XVI do t’i ketë
shumë për zemër, ata e çështjen e bijve të tyre, që presin plot ankth rikthimin në
vatrën familjare.
Kujtojmë se pirateria arriti kulmin e vet historik vitin
e kaluar, me 445 sulme, 52 anije e 1. 181 detarë të marrë peng. Fenomeni vijon, me
214 episode të reja e 26 anije, akoma peng në duart e piratëve. Ndonëse shumica e
anijeve janë sulmuar në brigjet e Somalisë, një komunikatë e Apostullimit Detar të
Konferencës ipeshkvnore italiane kujton se pirateria mbetet sfidë botërore, që kërkon
përgjigje globale, sepse mirazhi i fitimeve të lehta e të menjëhershme, po i josh
gjithnjë më shumë edhe organizatat kriminale ndërkombëtare. Në përkim me komunikatën
e Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, Apostullimi i Detit i Kii-së, u drejton
këtë thirrje të fuqishme: “Qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, që të
aktivizojnë me shpejtësi kanalet e tyre, për t’i rikthyer shëndosh e mirë në shtëpi,
detarët e marrë peng e të gjejnë edhe rrugëzgjidhjen për këtë problem, duke pasur
mirë parasysh se duhet vepruar duke u nisur nga rrënjët e fenomenit, domethënë nga
pabarazia e shpërndarjes së pasurive ndërmjet Vendeve dhe e shfrytëzimit të burimeve
natyrore”.
“Shoqërive të lundrimit, që të marrin masa parandaluese për
të garantuar sigurinë jo vetëm të anijeve e të ngarkesës së tyre, por edhe të detarëve.
Në rastin tragjik të sulmeve, t’i mbështesin familjet e pengjeve e t’i ndihmojnë drejtpërdrejt
e menjëherë, në mënyrë që t’i kufizojnë pasojat traumatike”.
“Të gjithë
detarëve të marrë peng, që të mos e humbasin shpresën se së shpejti do të bashkohen
përsëri me të dashurit e të mbeten të fortë në fe. Atyre Apostullimi i Detit u përcjell
gjithë solidaritetin e mundshëm”.
“Famijarëve të detarëve të marrë peng,
që të mos ngurrojnë t’i drejtohen Qendrave Ylli i Detit për ngushëllim e ndihmë. Në
situata të tilla dramatike, Ylli i Detit më shumë se kurrë mund të jetë për ta liman
i sigurtë e fanar shprese. Detarët duhet ta dijnë se kapelanët e vullnetarët e Apostullimit
të Detit janë pranë tyre, për të përballuar së bashku muajt e pasigurisë se të frikës”.