2011-07-10 16:50:12

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: Hyji nuk na detyron të besojmë në Të, por e respekton lirinë tonë, na thërret vetëm me dashurinë e Tij.


“Zoti nuk na detyron të besojmë në Të, por na tërheq tek vetja me të vërtetën e mirësinë e të Birit të mishëruar: vërtet, dashuria e respekton gjithmonë lirinë”. Kështu pohoi sot Papa Benedikti XVI në oborrin e pallatit apostolik në Kastelgandolfo gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot para mase katërmijë besimtarëve e shtegtarëve të ardhur nga vendet e ndryshme të botës. “Stili i Zotit është ai i farëhedhësit, shpjegoi Papa duke cituar atë që ai e quajti “një faqe e cila në një farë mënyre është autobiografike” e Ungjillit, që “pasqyron të njëjtën përvojë të Jezusit”, eksperiencën e predikimit të tij: Ai identifikohet me mbjellësin, që e hedhë farën e mirë të Fjalës së Hyji, dhe vë re efektet e ndryshme që burojnë nga fara e hedhur, sipas mënyrës së pritjes që i rezervohet kumtimit” të Fjalës. Ati i Shenjtë Ratcinger kujtoi përgjigjet e ndryshme që numëron pjesa Ungjillit të kësaj së diele në shëmbëlltyrën e mbjellësit. “Ka njeri që Fjalën e Zotit e dëgjon në mënyrë sipërfaqësore por nuk e pranon; ka njeri që e pranon menjëherë por nuk është i qëndrueshëm e humb gjithçka; ka njeri që pushtohet prej shqetësimeve e joshjeve të botës; e ka njeri që e dëgjon Fjalën dhe e pranon si toka e mirë: këtu Fjala e Hyjit sjell fryte të begatshme”. Pjesa e Ungjillit e shqiptuar në liturgjinë e sotme dhe komentuar nga Papa Ratcinger në fjalimin e tij të shkurt para lutjes së Engjëllit të Tënzot, “insiston edhe . nënvizoi Ati i Shenjtë – mbi metodën e predikimit të Jezusit, pra mbi përdorimin e shëmbëlltyrave, një zgjedhje e motivuar nga vet Jezusi para ithtarëve të vet me “dallimin ndërmjet tyre e turmës: nxënësve, do të thotë atyre që janë përcaktuar për Të, Ai mund t’u flas haptazi për Mbretërinë e Hyjit, ndërsa për të tjerët duhet ta kumtoi në shëmbëlltyra, për të nxit pikërisht përcaktimin e tyre, kthimin e zemrës; në të vërtet shëmbëlltyra, për natyrën e tyre që kanë kërkojnë një përpjekje për t’u interpretuar, interpelojnë inteligjencën por edhe lirinë”. Së fundi, -përfundoi Papa – ‘Shëmbëlltyra e vërtetë e Hyjit është vet Jezusi, Qenia e tij që, në shenjë të njerëzimit, fsheh e njëkohësisht dëfton hyjninë”
Ja Shëmbëlltyra e mbjellësit që është kumtuar në liturgjinë hyjnore të kësaj së diele
MATEU: 13. SHËMBËLLTYRA E MBJELLËSIT
13
1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.
3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.
Kështu u tha:
4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.
9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”
Përse Jezusi flet në shëmbëlltyra
(Mk 4, 10-12; Lk 8, 9-10)
10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:
“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”
11 Ai u përgjigj:
“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:
Mirë do të dëgjoni - por s’do të kuptoni,
mirë do të shikoni - por nuk do të shihni.
15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,
u bë i rëndë ndër veshë,
sytë i janë mbyllur,
që të mos shohë me sy,
të mos dëgjojë me veshë,
që të mos kuptojë shpirti i tyre
e të mos kthehen.
E unë i kisha shëruar!”
16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”
Shtjellimi i shëmbëlltyrës mbi mbjellësin
(Mk 4, 13-20; Lk 8, 11-15)
18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete - pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish”.







All the contents on this site are copyrighted ©.