2011-07-08 11:04:36

Çelësi i fjalëve të Kishës:domethënie e Librit të Urtisë:’ faji i etërve bie mbi bijtë!’


Të dashur dëgjues, në emisionin e sotëm do të shpjegojmë se pse në Librin e Urtisë thuhet se 'faji i etërve bie mbi bijtë', në rastin e kurorëthyerjes.
I hartuar në greqisht, në prag të epokës së krishterë, ndoshta nga një hebre i Aleksandrisë së Egjiptit, dhe i marrë simbolikisht në patronazh nga Salomoni, Libri i Urtisë na zbulohet si një vepër me risi të mëdha. Të mendojmë vetëm për doktrinën e pavdekshmërisë në lumturi dhe gjithë pjesës ku flitet për rolin e gruas dhe thyerjen e kurorës. Në të, ngrihet në qiell gruaja që s’mund të bëjë fëmijë, por është e ndershme, si edhe eunuku, “dora e të cilit nuk ka bërë ndyrësi”, në kundërshtim me shumë pjesë të tjera të Shkrimit të Shenjtë, ku e njëjta gjendje konsiderohej mallkim prej Zotit, pasi nuk lejonte të krijohej brezi i ri.
Në këtë kontekst duhen kuptuar fjalët, që skandalizojnë shumëkënd, thënë në kapitullin e tretë të Librit të Urtisë: “Bami i kurorëshkelësve s’do të shkojë përsëmbari dhe fara e shtratit të paudhë do të shuhet. Po edhe nëse do ta kenë jetën e gjatë, do të mbahen për askushi dhe në fund, pleqëria e tyre do të jetë e pander. Po qe se vdesin herët, të pashpresë do të jenë dhe ngushëllim s’do të kenë ditën e gjyqit: sepse i tmerrshëm është fati i pjellës mëkatare” (3,16-19).
Fjalët janë të rënda dhe pasqyrojnë shprehjet tradicionale të Besëlidhjes së Vjetër. Për t’i kuptuar, duhet të kemi parasysh tri gjëra. E para ka të bëjë me të ashtuquajturën “teori e shpërblimit”: sipas urtisë së lashtë të Izraelit, çdo faji duhej t’i korrespondonte dënimi hyjnor, që mund të shfaqej si me mossuksesin, ashtu edhe me vuajtjen e mëkatarit, ose të gjërave të dashura për të, si familja dhe pasardhësit. Dihet se Jobi reagoi kundër këtij konceptimi skematik, e pikërisht në linjën e tij do të vendoset edhe Krishti, si në rastin e të verbërit, që përshkruhet në Ungjillin e Shën Gjonit, ku Jezusi i qorton dishepujt, pasi mendojnë se verbëria është pasojë e mëkateve të personit, ose të prindërve të tij.
Elementi i dytë ka të bëjë me çështjen e familjes së kurorëthyerësit, e cila përfshihet në dënim. Kemi të bëjmë me një lloj përgjegjësie kolektive, e cila nuk duhet marrë fjalë për fjalë, por si theksim i faktit se mëkati nuk është thjesht individual e ka jehonë në shoqëri, pasi prish atmosferën morale e nganjëherë, sjell edhe pasoja fizike (të mendojmë për shembull për trashëgiminë që mund të japë një nënë e droguar, ose një baba i sëmurë me Sidë).
Pavarësisht nga këto që thamë, në rend të parë, është përgjegjësia individuale. Të lexohet për shembull krejt kapitulli 18 i Ezekielit Profet, ose këto fjalë të Jeremisë: “Në ato ditë nuk do të thuhet më: ‘Etërit hëngrën rrush të thartë dhe u mpinë dhëmbët e fëmijëve’, por secili do të vdesë për shkak të fajit të vet” (31,29-30). Madje, autori i Librit të Urtisë, në një faqe shumë intensive, ngre në qiell faljen e Zotit për mëkatarin e penduar, sepse Zoti “ka mëshirë për të gjithë” (11,23-12,2).
E së fundi, duhet të kemi parasysh kontekstin. Autori i Shkrimit Shenjt dëshiron të pohojë solemnisht se është më mirë një familje e ndershme pa fëmijë, se sa një familje e madhe, ku mbretëron e keqja. Pikërisht kjo e fundit gjykohet nga Zoti. Gjuha e rëndë tradicionale ka për qëllim vetëm ta nënvizojë këtë të vërtetë e të tregojë se teoria e shpërblimit të mëkateve, ashtu siç konceptohej atëherë, mund të përgënjeshtrohet. Në të vërtetë, shpesh ndeshemi me një mirëqënie të jashtme, pra të rreme, e cila fsheh shenjat e dënimit hyjnor, por i ka ato brenda.







All the contents on this site are copyrighted ©.