2011-07-08 16:50:02

Pack: Serbia duhet ta di se Kosova do të bëhet anëtare e BE


Doris Pack, kryesuese e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore pohoi se autoritetet e Serbisë duhet ta kenë të qartë se Kosova një ditë do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. Sipas saj, "asnjë përpjekje që kjo të pengohet, nuk do të lejohet. Dhe për këtë arsye për këtë çështje duhet diskutuar para hyrjes së Serbisë në BE", është shprehur Doris Pak në një intervistë për gazetën "Danas" të Beogradit. Sipas saj, Serbia deri në fund të këtij viti do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, por jo edhe datën e fillimit të negociatave.
Duke folur për marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës për librat amzë dhe lirinë e lëvizjes, zonja Pak tha se është mirë të shohësh së mund të arrihen zgjidhje për çështjet praktike ndërmjet dy palëve. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të rajonit, për serbët si dhe për të gjithë njerëzit në Kosovë pavarësisht kombësisë së tyre.
Ndërsa sa i përket mesazheve që dërgohen dendur nga BE-ja që Serbia nuk mund të bëhet anëtare "pa marrëdhënie të rregulluara me të gjithë fqinjët", përfshi edhe Kosovën, Doris Pak tha se "një nga kushtet për anëtarësim në BE janë marrëdhëniet normale dhe miqësore të të gjitha shteteve me fqinjët".
Se në ç'mënyrë kjo do të bëhet me Kosovën, Doris Pak thotë se kjo është çështje e "ndërmarrjes intelektuale".
Ndoshta njëra palë do të ndryshojë kushtetutën e saj para përmbylljes së negociatave për hyrje në BE, por nës kjo nuk ndodhë, qeveria duhet të gjejë një mënyrë tjetër që të realizohen marrëdhëniet e mira. "Sidoqoftë Kosova një ditë do të bëhet anëtare e BE-së dhe kjo duhet të jetë e qartë për autoritetet e Serbisë. Asnjë përpjekje, që kjo të pengohet, nuk do të lejohet. Mbi këtë çështje duhet diskutuar para hyrjes së Serbisë në BE. Pra Serbia duhet të vazhdojë rrugën drejt BE-së duke mos harruar se një kriminel i luftës edhe më tutje është në liri dhe që në vitet e ardhshme, më shumë vëmendje t'i kushtojë nevojave të qytetarëve sesa politikanëve nacionalistë", ka theksuar Doris Pak.







All the contents on this site are copyrighted ©.