2011-07-08 10:56:47

Nga Kosova, imazhe jo miqësore për Amerikën


Me fotografi dhe imazhe të të rinjve me dukje jokarakteristike për shqiptarët dhe evropianët, mediat amerikane të shkruara dhe elektronike raportuan për myslimanët që përmes protestës dhe faljes masive kërkojnë xhami në qendër të kryeqytetit të Kosovës, njofton korrespondenti i RTK nga Nju Jorku, Sulejman Gashi.
Në raporte thuhej se kërkesat për xhaminë në qendër janë rritur që prej ndërtimit të Katedrales katolike në hyrje të sheshit kryesor të qytetit, një kërkesë kjo e inicuar nga vetë kryemyftiu në përurimin ceremonial të katedrales.
Dukjet e të rinjve shqiptarë aludojnë pashmangshëm në fytyra e imazhe jo shumë miqësore për Amerikën si shtet dhe amerikanët si popull. Janë shpeshherë imazhet dhe dukjet e tilla që krijojnë frikë tek amerikanët nëse i shohin ata të hyjnë në aeroplan, apo në metro apo kudo, si personifikim i një kërcënimi që gjithëherë do të kujtojë 11 shtatorin famëkeq të vitit 2001. Pamjet e tilla nga Kosova mike dhe aleate, e proklamuar gjithandej me përqindjen më të lart të favorshme pro Amerikës si shtet, vënë në pikëpyetje këtë përkushtim.
Një islam politik i importuar nga sekte dhe financime të dyshimta prej vitesh në Kosovë, tani me masën dhe guximin i dalë ashiqare përballë dhe si pandan para shtëpisë së demokracisë, krijon frikën e një nisme dhe hyrje të fetarizmit në politikën dhe jetën sociale të Kosovës, që përjashto këtë kabinetin e fundit qeveritar, kishte ruajtur sekularizmin aq shumë të proklamuar dhe të nevojshëm për shqiptarët. Imazhet e tilla mjekrrash të pakultivuara dhe pantollonash cub i japin tablo filmike me bollëk të gjithë atyre që prej vitesh shpallin si kërcënim në rritje fundamentalizmin islamik në Kosovë, e që tash e tutje do ta shoqërojnë edhe me filmime origjinale nga kryeqyteti. (nga QIK-u)







All the contents on this site are copyrighted ©.