2011-07-08 12:45:37

Dy vjetori i enciklikës së Benediktit XVI ‘Caritas in veritate’ - “E vërteta me dashuri”


Më 7 korrik 2009, në Sallën e Shtypit të Vatikanit të stërmbushur me gazetarë, kardinajt Renato Raffaele Martino e Paul Josef Cordes prezantonin para mediave ndërkombëtare Enciklikën e parë shoqërore të Papës Benediktit XVI, ‘Caritas in veritate’. Të menjëhershme qenë reagimet në mbarë botën për dokument që, në vazhdën e enciklikës Populorum Progressio të Palit VI, përmendte, një nga një, parimet e mëdha të nevojshme për një zhvillim solidarë të njerëzimit në fillimet e shekullit 21. Një ditë më pas, më 8 korrik 2009, një ditë e mërkurë, Papa Benedikti XVI ia kushtoi tërë audiencën e përgjithshme shpjegimit të Enciklikës së tij “E vërteta me dashuri”.
Enciklika është, pra, ftesë për ta thënë të vërtetën me dashuri. Papa shpjegoi se në të trajton tematikat shoqërore, që përmban ‘Populorum progressio’, shkruar nga shërbëtori i Zotit, Pali VI, në vitin 1967:
Ka për qëllim të thellojë disa aspekte të zhvillimit të përgjithshëm në epokën tonë, parë në dritën e së vërtetës, të thënë me dashuri. Ia besoj lutjes suaj këtë kontribut të ri, që i jep Kisha njerëzimit, në përpjekjen e saj për progresin e qëndrueshëm, plot respekt për dinjitetin njerëzor dhe për kërkesat e njëmendta të të gjithëve”.
Gjatë audiencës së 8 korrikut të vitit 2009 Papa Ratcinger uroi që enciklika e re ‘Caritas in Veritate’ – ‘ E Vërteta me Dashuri’ “ta ndihmojë njerëzimin të ndjehet një familje e vetme, e impenjuar në realizimin e një bote të bazuar në drejtësi e paqe”.
“Jo vetëm me të mirën materiale” por sidomos me “rritjen shpirtërore” realizohet zhvillimi i plotë i personit njerëzor, tha Ati i Shenjtë Racinger. “Të lutemi që enciklika e re të mund të ndihmojë njerëzimin të ndjehet një familje e vetme” e, shtoi, “të lutemi që besimtarët që veprojnë në ekonomi e në politikë ta ndjejnë se sa rëndësishme është dëshmia e tyre ungjillore”.
Ky Dokument papnor ka gjashtë kapituj, që paraprihen nga hyrja e përfundojnë me fjalën e mbylljes.
Kapitulli i parë i kushtohet mesazhit, që buron nga Enciklika Populorum progressio;
Kapitulli i dytë, shtjellon “zhvillimin njerëzor në kohët tona”;
Kapitulli i tretë titullohet “Vëllazëria, zhvillimi ekonomik e shoqëria civile”.
Kapitulli i katërt merret me “zhvillimin e popujve, të drejtat e detyrat dhe problemet e mjedisit”;
Kapitulli i pestë ka për titull “Bashkëpunimi i familjes njerëzore “.
Kapitulli i gjashtë e i fundit trajton ‘Zhvillimin e popujve e teknikën”.
Në përfundim të Enciklikës lexuesi vëren se Papa tregon një drejtim të ri për ekonominë botërore, të lidhur me zhvillimin, që promovon dinjitetin e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.