2011-07-08 15:53:30

Benedikti XVI dërgon një delegacion zyrtar në Juba për shpalljen e pavarësisë së Sudanit të Jugut.


Nesër, më 9 korrik, në Juba do të shpallet pavarësia e Republikës së re të Sudanit Jugor. Me rastin e kësaj feste solemne, Papa dërgoi një delegacion zyrtar, kryesuar nga kardinali Xhon Njue, kryeipeshkëv i Nairobit e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kenias. Në delegacion bëjnë pjesë edhe nunci apostolik në Sudan, imzot Leo Bokardi, si dhe sekretari i nunciaturës apostolike në Kenia, imzot Havier Herrera Korona. Delegacioni është i ngarkuar t’i përcjellë autoriteteve të shtetit të ri dhe të gjithë nënshtetasve të tij, me shumicë katolikë, urimin për paqe e begati. E jep këtë njoftim, përmes një deklarate, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi. Siç uroi dje imzot Dominik Mambertì, sekretar i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, duke pritur delegacionin parlamentar të Sudanit, kryesuar nga Ahmed Ibrahim Elthair, kryetar i Asamblesë Kombëtare sudaneze, “paqja, pajtimi e respektimi i të drejtave të të gjithëve, posaçërisht, liria fetare, janë bazat kryesore, mbi të cilat duhet ngritur rendi i ri shoqëroro-politik i zonës dhe kushtet për një ardhmëri plot shpresë”. Selia e Shenjtë, që ka marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike me autoritetet e Khartumit që nga viti 1972 e që do ta shqyrtojë me kujdesin e duhur kërkesën e mundshme të qeverisë së Sudanit Jugor- përfundon atë Lombardi – e fton bashkësinë ndërkombëtare ta mbështesë Sudanin dhe shtetin e ri të pavarur që, me një dialog paqësor e konstruktiv, të gjejë rrugët e drejta për zgjidhjen e problemeve ende të pazgjidhura dhe uron që popullsitë e këtij vendi, të ecin në rrugën e paqes e të zhvillmit të vërtetë.
Ndërkaq Juba është gati për ceremoninë e shpalljes së pavarësisë nga Khartumi. Kombet e Bashkuara po vlerësojnë hamendjen për dërgimin e një misioni paqeruajtës, për të shoqëruar rrugën e vendosjes së paqes në Sudanin e ri afrikan. Nga Juba, Alesia De Luka:

“Atmosfera e Jubës është ajo e rasteve të mëdha: pankarta, flamuj, bluza me ngjyra, kanë të shkruar fjalën e dëshiruar ‘pavarësi’. Ndërkaq një orë e madhe, në sheshin kryesor të qytetit, shënon orën zero. Një fillim i ri, në fund të një rruge të gjatë: njëzet vjet luftë civile me veriun, me dy milion të vdekur, parabol e sanksionuar nga marrëveshjet e paqes të 2005-sës, që arritën në përfundim të një votimi referendar, në janar, në të cilin jugsudanezët votuan në favor të shkëputjes nga pjesa tjetër e vendit. Kremtimet do të nisin zyrtarisht pasi qytetarët, myslimanë e të krishterë, do të ulen për të ngrënë së bashku darkën e fundit, para se ta shpallin shtetin e tyre të pavarur. Është një nismë e ipeshkvijve sudanezë, që nënvizon domosdoshmërinë e pajtimit kombëtar, sepse vetëm kështu vendi mund të hapë një faqe të re të historisë së tij, nga ora zero, siç tregon sahati i madh në shesh, që pret të nisë nga puna. Në nënshkrimin e Kushtetutës, nga ana e presidentit Salva Kiir Majardit, do të jenë të pranishëm presidentë, delegacione ndërkombëtare e përfaqësues të gjithë Kontinentit afrikan. E këtu do të ulen, vetëm pak metra larg njëri-tjetrit, sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban-Ki-moon dhe presidenti i Republikës sudaneze, Omar El-Bashir, mbi kokën e të cilit rëndon një mandat ndërkombëtar për krime lufte e genocid në Darfur.







All the contents on this site are copyrighted ©.