2011-07-08 17:01:06

Atë Lombardi: “Nga Khartumi, në Juba”, lindja e Shtetit të ri afrikan


Afrika me një shtet më shumë. Në përkim me dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare, lind Sudani i Jugut, i ndarë nga Sudani, me vullnetin e një populli, që rifitoi lirinë. Selia e Shenjtë e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces të gjatë e të vështirë, duke jetuar shpirtërisht pranë popullsive të vuajtura të kësaj toke të martirizuar, që tani rikthehet në jetë. Rijeton, por pas viteve të tmerrshme të dhunës, urisë, etjes, vrasjeve, bombave, mundimeve të të gjitha natyrave. Nuk e ka, prandaj, krejt të lehtë këtë fillim, sepse e kaluara nuk shlyhet aq shpejt nga mendjet e nga zemrat. Udhë e gjatë, e vështirë, që na kujton se Selia e Shenjtë, e posaçërisht Gjon Pali II, e ndoqën hap pas hapi popullin e stërmunduar, që sot, më në fund, është i lirë e i pavarur.
E pikërisht këtë udhë ripërshkon atë Federiko Lombardi, në editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, të cilin e titullon: “Nga Kartumi, në Juba”.
“Sudanezët, të lirë në rrugën që duan ta zgjedhin vetë, mund ta gjejnë formulën kushtetuese, që u krijon kushtet t’i japin fund kontradiktave e luftërave, me frymën e respektit për çdo bashkësi”. “Vështirë të mos mendosh për të gjitha lutjet e vuajtjet e atyre, që u prekën nga lufta, e cila zgjati aq shumë në këtë tokë, posaçërisht në Jug”. “Shumë nga ju vijnë prej andej e, për shkak të luftës, tani janë të shpërngulur e pa strehë mbi kokë. Vuajtja e papërshkrueshme e miliona viktimave të pafajshme, më imponon t’u shpreh solidaritetin tim të ligshtëve e të pambrojturve, që i drejtohen Zotit, duke i kërkuar ndihmë; drejtësi; respekt për dinjitetin, që vetë ai i Lumi ua dha, si krijesa njerëzore; të drejtat themelore të njeriut; lirinë për të besuar e për të praktikuar fenë pa frikë e pa diskriminime. Shpresoj me gjithë zemër se zëri im do të arrijë deri tek ju, vëllezër e motra të Jugut”. “Erërat e ndryshimeve, që po fryjnë mbi Afrikën, kërkojnë struktura të reja organizimi ekonomik e politik, struktura, që e respektojnë me të vërtetë dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij”.
Ishte data 10 shkurt e vitit 1993 e Gjon Pali II kalonte një ditë tepër të ngarkuar, krejt të posaçme, në Khartum, ku fliste me një guxim të jashtëzakonshëm përpara qeveritarëve, duke prekur temat dramatike të drejtësisë e të lirisë, i pritur me një entuziazëm të pabesueshëm nga një turmë vigane katolikësh sudanezë, shumica të shpërngulur nga Jugu, të ikur nga vatrat, për të shpëtuar nga lufta civile, pa fund.
Kanë kaluar 18 vjet që atëhere e llogaritë flasin për dy milionë të vdekur e katër milionë të shpërngulur. Por të paktën tashmë shpresohet se lufta ka marrë fund e se Republika e Re e Sudanit Jugor, e dëshiruar nga shumica dërmuese e banorëve të saj, mund të fillojë një histori të re, në paqe. Përfaqësuesit e Papës pranë Kombeve të Bashkuara, ipeshkvijtë e presidentët e shumë vendeve, janë mbledhur në Juba për të shpallur pavarësinë.
Do të lindë një nga vendet më të varfëra të botës, të cilit do t’i duhet të përballojë probleme tepër të vështira për unitetin e vet të brendshëm, por banorët e tij shpresojnë – e të ne të gjithë me ta – se do t’ia dalin mbanesh të ndërtojnë një ardhmëri me liri e paqe. Gjallëria misterioze e jashtëzakonshme e popullit jugsudanez – që shpërtheu me një forcë tronditëse atë mbrëmje, në Khartum, rreth Gjon Palit II – nuk ka shteruar. Veç ka nevojë për solidaritet konkret e të fuqishëm, ndërkombëtar e kishtar, që të mund të lulëzojë përsëri. Urojmë të mos i mungojë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.