2011-07-07 17:26:37

Benedikti XVI në Kastel Gandolfo. Intervistë me atë Federiko Lombardin


Papa u largua nga Vatikani sot pasdite, në orën 17. 30. Tani ndodhet në Kastel Gandolfo, seli verore e papëve, ku do të kalojë një periudhë pushimi. Është viti i dytë që Benedikti XVI zgjedh si vend pushimi pikërisht këtë seli, rrethuar nga kaltërsia e blerimi i qytezës laciale. Të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi:

Përgjigje: - Po. Kujtojmë se Kastel Gandolfo është selia verore e papëve prej shumë kohe. Me një përjashtim: vetëm Papa Gjon Pali II pati zgjedhur si vendpushimi, bjeshkët e Italisë veriore. Malin. Tani, si e dimë, Benedikti XVI i ka pritur me kënaqësi edhe ftesat për t’i kaluar pushimet në mal, ku ka qenë disa herë. Por e dimë edhe se në Kastel Gandolfo e ndjen veten shumë më mirë e se pushimi, për të cilin ka aq shumë nevojë e dëshirë, ndoshta është më i garantuar në Kastel Gandolfo, sesa në një vend, me të cilin nuk është mësuar e, prandaj, i duhet të ndryshojë shumë gjëra në organizmin e veprimtarive të përditshme. Prej këndej, mund të themi se Kastel Gandolfo është më i përshatshëm për pushim, sepse vend i njohur, i pajisur e i përgatitur për një pushim krejt normal, pa ndryshime të befta. Vend i qetë, me lartësi të përshtatshme, e, sigurisht, më i freskëti në Romën, që përvëlohet nga vapa e verës. Ka, pastaj, edhe kopshte, në rrugicat e blerta të të cilave mund të ecësh, mund të shëtisësh; i ka të gjitha mjediset, ku Papa mund të vijojë punën e tij kulturore, intelektuale, e natyrisht, edhe mjediset, ku mund të kalojë kohën e lutjes, koha më e dashur për Benediktin XVI. Ne e dimë mirë se Papa nuk është njeri, që e humb kohën kot. Asnjë çast. E shfrytëzon çdo sekond me fund, edhe kur pushon, duke bërë gjëra që i pëlqejnë më shumë, në përkim me personalitetin e tij. E çka i pëlqen më shumë, është të lexojë, të studiojë, të shkruajë. Më pati prekur shumë, në të kaluarën, një bisedë me sekretarin personal të Papës, i cili më pati thënë: “Mënyra më e mirë për të pushuar, për Papën, është të shkruajë, të merret me Teologjinë, me Shkrimin Shenjt, sepse janë argumente që i ka vërtet për zemër. E edhe ne të gjithëve, kur bëjmë gjëra që na pëlqejnë, që na gëzojnë, na duket sikur pushojmë. Çlodhja më e mirë, është të bësh ç’të pëlqen. Desha të shtoja edhe se në Kastel Gandolfo Papa e ndjen veten në kushte normale jete, çlodhjeje, por edhe pune. E pastaj pushimet në këtë vend, i zgjidhin më lehtë edhe problemet e sigurimit të Atit të Shenjtë, ndryshe nga viset e tjera, jo të zakonshme, të pushimit. Por nuk është kjo kryesorja. Megjithatë, mendoj se, duke shkuar në Kastel Gandolfo, Papa, me thjeshtësinë e bujarinë, që e karakterizojnë, mendon se i bën gjërat më të thjeshta edhe për shumë njerëz të tjerë, që do të impenjoheshin gjatë pushimeve të tij, në se do t’i kalonte dikund tjetër.

Pyetje: - Prej këndej, mund të themi se nis periudha e pushimit, por edhe e përgatitjeve për disa ngjarje të rëndësishme…

Përgjigje: - Natyrisht. Papa ka para vetes edhe shtegtimin në Spanjë, për Ditën Botërore të Rinisë, e kjo do t’ia ndërpresë kohën e pushimit në Kastel Gandolfo: një arsye më shumë për t’u nisur pikërisht tani për në selinë verore, duke pasur parasysh këtë udhëtim në muajin gusht. Pastaj Papa po mendon tashmë edhe për shtegtimin në Gjermani, tejet i rëndësishëm, impenjativ, shumë i pritur në atdheun e tij. E edhe ky do të jetë një nga argumentet, për të cilat do të reflektojë. Mund të shtojmë se Papa ka tashmë në kantierin e tij, një punë, që e njohim mirë: plotësimin e veprës së madhe kushtuar Jezusit të Nazaretit. Na ka thënë se dëshiron të shkruajë edhe vëllimin e tretë, ndonëse në përmasa më të vogla. Do t’i kushtohet fëmijërisë së Jezusit, Ungjijve mbi fëmijërinë. E ka nisur tashmë, duke shtuar faqe të reja në muajt e kaluar, sa herë kishte sadopak kohë të lirë, por mund të themi se kjo është koha më e përshtatshme për ta vijuar e, ndoshta, edhe për ta kryer veprën.

Pyetje: - E për takimet e tjera, që mbeten, ç’mund të na thoni?

Përgjigje: - Takimet e rëndësishme, që mbeten, edhe në kohën e pushimit të plotë, janë gjithnjë Lutjet e Engjëllit të Tënzot, të dielave: këto mbeten gjithnjë. Kremtohen në Kastel Gandolfo, në atë kuadër, që e njohim të gjithë. Mrekullisht të bukur, në Oborrin e Pallatit Apostolik. Është një kornizë, që ndryshon nga Sheshi i Shën Pjetrit, një kuadër më i përmbledhur, me njerëz që e ndjejnë veten shumë më pranë Atit të Shenjtë e prandaj edhe entuziazmohen më shumë, brohorasin, këndojnë në gjuhë të ndryshme. Kështu lutja e Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo merr një pamje shumë të ngrohtë, shumë familjare. Pastaj duhet kujtuar se audiencat e zakonshme, gjatë korrikut, janë ndërprerë e do të rifillojnë në gusht. Në vartësi nga numri i pjesëmarrësve, ka shumë mundësi të mbahen në Kastel Gandolfo. Por në se turma do të jetë tepër e madhe, mund të mbahen edhe në Romë. Në shtator, pastaj, veprimtaria e Papës do të rifillojë me ritmin e zakonshëm. Në këtë muaj është në program shtegtimi në Ankonë, për mbylljen e Kongresit Eukaristik italian e pastaj, aty nga fundi i muajit, shtegtimi jashtëzakonisht i rëndësishëm në Gjermani. Edhe audiencat e vizitorët e rëndësishëm bëhen gjithnjë më të shumtë, duke nisur nga shtatori. Prej këndej, ndonëse Papa do ta kalojë edhe shtatorin në Kastel Gandolfo, veprimtaria papnore do të ketë ritmin normal.

Pyetje: - E rikthimi në Vatikan?
Përgjigje: - Rikthimi në Vatikan, në fund të shtatorit: kjo është skema. Pra Papa do të kalojë në Kastel Gandolfo korrikun, gushtin e shtatorin.







All the contents on this site are copyrighted ©.