Më 6 korrik përkujtohet Shën Maria Goretit, virgjër e martire
Maria Tereza Goreti, ose Marieta, siç e thërrisnin të afërmit, nuk është e vetmja
vajzë e cila parapëlqeu më mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet e një njeriu që
deshi t’ia turbullonte jetën. Pothuajse çdo ditë kronika flet për ushtrimin e dhunës
mbi vajza të reja, të pambrojtura, si prindërit e Marietës që nuk mundën ta mbronin.... Shkaku
për të cilin Kisha e paraqet si shembull këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është vetëm
sepsè u shqua për pastërti morale, por pse gjithë jeta e saj ishte shembullore, pse
zgjodhi vdekjen jo vetëm për të mbrojtur nderin, por kryesisht për t’iu bindur urdhrit
hyjnor: “Jo, jo, Zoti nuk do; është mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër Serenelli,
kur ai deshi të përdorte dhunën. Familja Goreti, me origjinë nga Corinaldo, në
provincën e Ankonës, e shtyrë nga nevoja, pati emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra
larg Netunos, aty nga fundi i shekullit XIX. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të
rëndë ndër ara, u strehuan në një shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin
tokën, Maria kujdesej për katër vëllezërit, më të vegjël se ajo. Ishte vetëm dhjetë
vjeçe, kur i vdiq i ati, i sëmurë nga malarja. Kështu s’ëmës, Asuntës, iu desh të
punonte gjithë ditën për të siguruar jetesën. E Maria, që nuk kishte mundur të vijonte
rregullisht shkollën, tani hoqi dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë
e vëllezërve. Kur kishte sadopak kohë të lirë, vraponte te Kisha e largët për të ndjekur
katekizmin. E kështu mundi të merrte kungimin e parë. Ishte tepër e zhvilluar për
moshën, prandaj tërhoqi vëmendjen e djaloshit të shqetë Aleksandër Serenelli. Ajo
i kundërshtoi vazhdimisht. Por Aleksandri nuk hoqi dorë. Një ditë, kur nëna u nis
për në arë, duke e lënë Marietën vetëm me motrën e vogël (e cila më vonë do të bëhej
murgeshë ndër Françeskanet Misionare të Zojës së Papërlyer), pas refuzimit të zakonshëm
të vajzës, e theri disa herë me thikë. E mbartur në spitalin e Netunos, vdiq një ditë
më pas, duke e falur vrasësin me fjalët: “Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj
të vijë me mua në Parajsë!”. Ishte data 6 korrik e vitit 1902. I dënuar me burgim
të përjetshëm, Aleksandër Serenelli u lirua pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më
1910 tha se kishte parë në vegim Martiren e vogël e që atë çast jeta e tij ndryshoi.
Më 1950 e ëma e Marietës dhe të vëllezërit ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës
që nuk pranoi të përlyhej me mëkat.