2011-07-06 15:54:58

Benedikti XVI viziton ekspozitën kushtuar Papës Karol Vojtila


Sot paradite Papa Racinger vizitoi ekspozitën kushtuar Gjon Palit II me rastin e Lumnimit, vendosur në Krahun e Karlit të Madh, në Vatikan. Pas pritjes nga kardinali Gjovani Lajolo, kryetar i Governatoratit, Papa ndoqi me vëmendje të madhe të gjitha seksionet e ekspozitës, që shpalosin pamje nga jeta e Karol Vojtilës, që nga mituria, deri në ditën kur u kthye në shtëpinë e Atit qiellor.
Ekspozitë vërtet prekëse, pasqyrë e një jete të jashtëzakonshme, kaluar me veprimtari nga më të ndryshmet, të pashembullta në jetën e një pape. Në vitrinat e mëdha të Ekspozitës, Benedikti XVI soditi biçikletën e Vojtilës, kominoshet e minatorit, që vishte kur zbriste për të punuar si punëtor krahu, në minierë. Veladonin e parë, të zi, të priftit, atë ngjyrë vjollcë të ipeshkvit, e edhe atë të kuq të kardinalit. Për të përfunduar tek veladoni i ipeshkvit të veshur me të bardha! Tek veladoni i papës, që në formë nuk ndryshon nga veladonët e zinj të të gjithë priftërinjve dioqezanë të botës.
Papa, i udhëhequr nga dy organizatorët e ekspozitës, Barbara Iatta e Roberto Pulitani, u ndalua edhe tek disa nga faqet e shkruara me dorën e Papës Vojtila; e pastaj, tek objektet e fëmijërisë e të rinisë, ardhur në Romë nga Wadovice, qytet i lindjes së Papës Gjon Pali II.Ekspozita, organizuar nën kujdesin e Governatoratit vatikanas dhe Ambasadës polake pranë Selisë së Shenjtë, u hap më 28 prillin e kaluar e do të mbyllet me 24 korrikun e ardhshëm. Mijëra e mijëra besimtarë, shtegtarë e turistë e kanë vizituar këtë ekspozitë tejet interesante, duke u ndaluar për t’u lutur një çast edhe pranë vendvendosjes së re, në elter, të Gjon Palit II, në Bazilikën e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.